SHBA, zgjerohen protestat për vdekjen e Freddie Gray

30/04/2015 00:00

Protestat mbi vdekjen e të riut Freddie Gray gjatë kohës që ishte në paraburgim në Baltimore janë shtrirë në disa qytete të tjera amerikane.

Qindra vetë u mblodhën në Sheshin Union të Nju Jorkut ku policia arrestoi të paktën 60 persona. Tubime pati edhe në Uashington DC, Boston e Mineapolis.

Nuk munguan marshimet as në Fergusonin e kthyer në një fuçi baruti gati të shpërthejë në çdo çast, që prej trazirave që pasuan vrasjen e një të riu afro-amerikan këtë verë.

“Të jesh me ngjyrë nuk është krim”, thërriste turma e mbledhur përpara zyrave qendrore të policisë në Boston.

“Çdo herë e njëjta histori”, thërrisnin protestuesit që bashkuan krahët me njëri-tjetrin në formë solidariteti.

Edhe më të ashpra ishin disa parulla në tubimin e Nju Jorkut, në të cilat shkruhej: “Mos vallë jeta është një privilegj i të bardhëve?”.

80% e qafës së Freddie Gray ishte e shkëputur nga shtylla kurrizore, sipas raporteve në median vendase, e kjo ka ndodhur gjatë kohës që i riu afro-amerikan ndodhej nën mbikëqyrjen e policisë.

Por, sesi i mori 25-vjeçari plagët e rënda, kjo nuk është zbardhur ende. Dy hetime paralele po zhvillohen mbi këtë çështje: një i brendshëm i forcave policore dhe një i Departamentit të Drejtësisë.

Disa gazeta amerikane, ndër të cilat edhe prestigjozja “Washington Post”, citonin një të burgosur të ndodhur bashkë me Gray në furgonin e policisë, që pohon se ky i fundit kishte tentuar të dëmtonte veten.

Funerali i 25-vjeçarit, i mbajtur të hënën, u pasua nga trazira të mëdha, përleshje të demonstruesve me policinë, zjarrvënie e grabitje.

Që prej asaj dite, në Baltimore është vendosur ndalimqarkullimi nga ora 22 e darkës deri në 5 të mëngjesit. Disa orë përpara se të niste nata e dytë e ndalimqarkullimit, mbrëmjen e së mërkurës në rrugët e qytetit u mbajt një tjetër marshim gjigant.

Top Channel