Eurodeputetët “gozhdojnë” Tiranën; kritika të forta mungesës së dialogut politik

30/04/2015 00:00

Si rrallëherë, mbi 40 folës u regjistruan gjatë debatit të Parlamentit Europian mbi rezolutën për Shqipërinë, bazuar në draftin e raportuesit gjerman Fleckenstein, që mbështet nisjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, proces ky që rrezikohet për shkak të konfrontimeve politike, siç vlerësojnë tashmë grupimet kryesore politike të legjislativit europian.

Knut Fleckenstein, Raportues për Shqipërinë në PE:

“Shqipërisë i mbeten edhe 5 prioritete në agjendë, më të rëndat e më të vështirat, që nuk mund të presim të mbyllen brenda natës, por ajo që duam të shohim është një vullnet i fortë politik dhe një mbështetje të gjerë nga të gjitha forcat politike, institucionet dhe shoqëria civile, si reforma e gjyqësorit, administratës publike, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë minoritetet. Qeveria shqiptare i njeh këto sfida dhe ka nisur disa iniciativa për reforma, që tashmë duhet të zbatohen siç duhet. Por, nuk është veç një listë me detyrime për t’u plotësuar. Është e rëndësishme që qytetarët të ndjejnë në jetën e përditshme diferencën e reformave për shërbimin në administratë, arsim apo kur shkojnë në gjykatë”.

Eduard Kukan, ndjekës-raportues për Shqipërinë në PPE:

“Pa dyshim që Shqipëria ka bërë progres në integrimin europian. Ne duhet ta çmojmë dhe ta mbështesim. Por ka rëndësi gjithashtu të dërgojmë një mesazh të fortë politik se konfrontimet politike janë pengesa kryesore për të ecur përpara më me shpejtësi në këtë proces. Dialog më i mirë politik dhe zgjidhje konsensuale më të mira politike nga të gjitha forcat politike nevojitet për këtë proces. Politikanët në Shqipëri duhet të shmangin kriza të mëtejshme politike. Ata duhet të kuptojnë se procesi integrues është përgjegjësi e përbashkët e të dyve, partive në pushtet dhe në opozitë. Procesi i integrimit është një shanc për Shqipërinë që të përparojë, por nevojitet vullnet politik për një reformë vërtetë të thellë, siç tha raportuesi, sidomos kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, reformën gjithëpërfshirëse të gjyqësorit dhe luftës ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Duhet shënuar se në pak javë vendi do të nisë garën për zgjedhjet lokale. Ky përbën një test për reformën e re administrative, por dhe për politikanët që të tregojnë vendosmërinë e tyre për rregullat dhe parimet demokratike”.

Monica Macovei, kreu delegacionit PE-Shqipëri:

“Ne pamë mungesën e një dialogu politik për të mirën e qytetarëve. Ne pamë boshllëqe në qeverisjen për të mirën e qytetarëve. Shumica e njerëzve në Shqipëri nuk kanë besim tek klasa politike. Ne duhet të jemi të vetdijshëm për këtë. Marr shpesh mesazhe nga qytetarët shqipëtarë për këtë. Ne jemi këtu për të mirën e qytetarëve shqiptarë e jo për të mirën e partive dhe politikanëve, prandaj duhet t’ua themi kur veprojnë gabim, edhe kur i përkasin të njëjtës familje politike, se kanë vepruar gabim e duhet ta ndreqin. Ne nuk duhet të mbajmë anë, kur nuk është rasti. Kur veprojnë gabim, duhet ta themi”.

Ivan Jakovcic, liberal kroat:

“Mund të ketë vullnet politik në Shqipëri, por atje nuk ka kulture politike e për këtë duhet të flasim këtu e t’u themi se ju nuk mund të silleni me ne, siç u sollet në Tiranë”.

I painformuar mbi takimin Rama-Vuçiç në Bruksel, raportuesi Fleckenstein kujtoi vizitën historike të kryeministrit shqiptar në Beograd, ndërkohë që deklarata e Edi Ramës “për aneksimin e Kosovës” u përfol nga shumica e eurodeputetëve të djathtë dhe liberalë, të cilët kërkonin të përforconin qëndrimin kritik në rezolutë.  

Diskutimet e  grupeve kryesore politike u përqëndruan tek gjyqësori, krimi, korrupsioni, trafiku i drogës dhe qënieve njerëzore, papunësia dhe informaliteti i lartë dhe të drejtat e minoriteteve dhe  grupeve vulnerabël të shoqërisë si LGBT, paraplegjikët, gratë e fëmijët.

Charles Tannock, grupi konservator:

“Akuzat e fundit alarmuese për sjelljen kriminale të klasës politike duhen hetuar plotësisht dhe nëse rezultojnë të vërteta, fajtorët duhet të dalin para drejtësisë. Raportet për radikalizimin e të rinjve dhe për ushtarët që i janë bashkuar ISIS përbëjnë gjithashtu shqetësim të madh”.

Ilhan Kyuchyuk, grupi liberal:

“Dua të them se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën mund të ndodhë vetëm në BE, sepse perspektiva respektive europiane mbetet i vetmi opsion i besueshëm për të gjitha vendet në rajon”.

Notis Marias, eurodeputet grek, konservator:

“Është mjaft shqetësuese të shohësh sentimentet e rritura nacionaliste të shqiptarëve për një Shqipëri Madhe, duke pretenduar territore në Ballkan dhe në Greqi. Ka rëndësi që Europa të kuptojë se çfarë ndodh pasi shumë shqiptarë po ndjekin politika irredentiste ndaj grekëve që kanë ushqyer me vite të tëra emigrantët shqiptarë. Ata duhet ë kuptojnë se duhet të respektojnë të drejtat e minoritetit etnik të Epirit Verior, një minoritet grek me më shumë se 20 mijë vetë”.

Ngjashëm, eurodeputetët bullgarë dhe rumunë pretenduan mbrojtjen e të drejtave për mijëra përfaqësuesë të tyre etnikë në Shqipëri. Por, ata u shfaqën më pak të organizuar se grekët, që pavarësisht grupimit politik që i përkisnin, kërkuan nga Shqipëria të zbatojë marrëveshjen e 2009-s me Greqinë, si dhe të respektojë të drejtën e gjuhës dhe zgjedhjes për minoritetin grek, siç përmendi eurodeputetja e PPE-së, Eleni Theocharous, me të cilën kulmoi replika e socialdemokratit Fleckenstein.

Ai i kujtoi përfaqësimin e minoritetit grek në Kuvendin e Shqipërisë dhe i kërkoi dëshmi provash për pretendimet e ngritura. Seancës mbi Shqipërinë nuk i munguan ligjëratat kundër integrimit nga ekstremistë të majtë e të djathtë, por dhe eurodeputetë të veçantë që nuk i përkasin ndonjë grupimi politik, por ato u injoruan nga Këshilli i BE-së dhe Komisioni, të cilët u shprehen për mbështetje ndaj Shqipërisë në këtë proces.

Zanda Kalnina-Lukasevica, Presidenca Letoneze:

“Besoj se ishte një debat mjaft i dobishëm. Këshilli e mirëpret angazhimin dhe vendosmërinë e Parlamentit Europian për të inkurajuar Shqipërinë për të shtyrë përpara reformat e nevojshme. Unë mëse pajtohem me çfarë u tha gjatë debatit se procesi i integrimit është një shanc. Kemi listuar disa elementë në rrugën e Shqipërisë për reforma. Ndaj me ju mendimin se dialogu politik dhe bashkëpunimi ndërpartiak është bërthama për avancimin e procesit integrues të BE-së. Reformat europiane duhet zbatuar, jo vetëm sa për të kënaqur BE-në, por sepse ato janë në interesin e vetë Shqipërisë. Trajtimi i tyre kërkon nga udhëheqësit e Shqipërisë që të ngrihen në përgjegjësitë e tyre për të mirën e qytetarëve. Jam e kënaqur nga debati që u fokusua në nevojat e qytetarëve shqipëtarë si dhe në angazhimin pozitiv të Shqipërisë për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal. Më lejoni të theksoj se Këshilli është i vendosur të vazhdojë angazhimin e tij me Shqipërinë. Përsa i takon situatës aktuale politike, BE e ka shprehur shqetësimin mbi konfrontimet e dialogut politik në Shqipëri dhe se mbajnë përgjegjësi të gjitha forcat politike atje për të garantuar një dialog gjithëpërfshirës e konstruktiv”.

Neven Mimica, zv/president i ke për çështjet ndërkombëtare:

“E ardhmja europiane e Shqipërisë mbetet në dorë të saj. Pronësia dhe motivi janë thelbësore për vazhdimin e punës në arritjen e prioriteteve kyçe. Sundimi i ligjit merr rëndësi madhore. Në këtë kuptim, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqsorit, janë themelore për zbatimin e sundimit të ligjit. Më shumë punë thelbësore  nevojitet gjithashtu për reformën e administratës publike dhe qeverisjen ekonomike. Zbatimi pa pengesa i marrëveshjes politike të Dhjetorit që çoi në përfundimin e bojkotit parlamentar të opozitës është më i rëndësishëm se kurrë. Për këtë, Komisioneri Hahn rikujton se të dy palët, qeveria dhe opozita, duhet të punojnë sëbashku për të garantuar një proces të qëndrueshëm reformash. Komisioni është plotësisht i vendosur të vijojë ndihmën ndaj Shqipërisë për rrugën e saj europiane dhe e mbështet tërësisht këtë raport, i cili i kontribuon këtij angazhimi”.

Komisioneri kroat Mimica zëvendësoi kolegun e tij austriak Johannes Hahn, i cili anuloi pjesëmarrjen në Strasburg për shkak të vizitës dyditore në Tunizi.

Përgatiti: Arta TOZAJ 

Top Channel