Vrau dy persona dhe i dogji, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Odise Verbofshin

30/04/2015 00:00

Prokuroria e Durrësit ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Odise Verbofshi, i akuzuar për vrasjen e dy personave dhe më pas djegien e tyre.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ngjarja ka ndodhur më 20 shkurt të vititi 2014, në zonën e Kënetës, në Durrës, pas një përplasje mes autorit Verbofshi dhe shtetasve Shaban Babasi dhe Albert Kasalla, për shkak të mospagesës së çmimit për rreth 75 kilogramë canabis sativa.

“Sipas hetimit dhe më pas gjatë gjykimit, rezultoi e provuar se i pandehuri Verbofshi ka vrarë shtetasit Babasi deh Kasalla, në ambjentet e shtëpisë së tij, në Shkozet, me pistoletë, rreth pasdites së 20 shkurtit 2014. Më pas, në mbrëmje, i ka dërguar trupat e tyre të pajetë në zonën e Kënetës, me automjetin me të cilin ata kishin ardhur nga Fushë-Kruja. Në këtë zone u ka vënë flakën, për të humbur gjurmët e trupave të viktimave”, ka shpjeguar Prokuroria dinamikën e aktit të rëndë.

Pas krimit, shton Prokuroria, autori Odise Verbofshi është larguar tek disa të njohur në tij, në qytetin e Korçës, ku ka tentuar të kalojë kufirin.

Por pasi nuk ka mundur të kalojë në mënyrë ilegale për në Greqi, autori është rikthyer tek shtëpia e të njohurve të tij në Korçë dhe u ka kërkuar të njoftojnë policinë, pasi do të dorëzohej, duke u treguar edhe për krimin e kryer.

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar burgim të përjetshëm për Verbofshin, për tri akuza: ‘vrasje në rrethana të tjera cilësuese’, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake apo municioneve’ dhe ‘prodhim e shitje të lëndëve narkotike’.

Po ashtu, në përfundim të këtij gjykimi, Prokuroria ka kërkuar dënimin me dy vjet burg edhe për shtetasin Ilirjan Thanasi, i cili ka lidhje shoqërore me të pandehuri Verbofshi, për ‘moskallëzim të krimit’.

Top Channel