Bashkia e Orikumit, masa për sezonin turistik

30/04/2015 00:00

Bashkia e Orikumit ka organizuar një takim me përfaqësuesit e bizneseve të zonës, si dhe me ata të Policisë së Rendit, asaj Pyjore dhe Prefekturës për masat që duhet të marrë për sezonin turistik që do të çelet së shpejti.

Në fokus të këtij takimi ishte përmirësimi i kushteve të plazheve, rrugëve, turizmit, si atë detar, por dhe malor. Në këtë takim, nga bizneset e zonës u ngritën shumë probleme, që janë shqetësuese jo vetëm për turistët, por dhe banorët e zonës.

Një shqetësim i përbashkët ishte rruga e plazhit, e cila është shkatërruar, e po ashtu mungesa e energjisë elektrike për shkak të linjave të amortizuara në të gjithë zonën.

Takimi u përqendrua edhe tek zjarret dhe masat që duhet të marrë Drejtoria e Pyjeve së bashku me zjarrfikësit, pasi në këtë bashki zjarret kanë qenë shkatërruese për pyjet.

Orikumi është një nga bashkitë që, në juridiksionin e saj, përveç turizmit detar dhe malor ka edhe shumë zona turistike, të cilat janë shumë të vizitueshme për turistët. Një nga kërkesat e operatorëve turistikë ka qenë, që Parku i Orikumit, i cili kalon nëpërmjet bazës së Pashalimanit, të jetë i aksesueshëm për turistët.

Top Channel