Kosovë, arrestohen tre zyrtarë të Ministrisë së Industrisë

30/04/2015 00:00

Policia e Kosovës ka vënë në pranga këtë të enjte tre zyrtarë të Ministrisë së Transporteve dhe Industrisë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Sipas një njoftimi për shtyp, personat e arrestuar rezultojnë të jenë funksionarë të Agjencisë së Metrologjisë dhe dyshohen se në bashkëpunim kanë dhënë licenca për instalimin e një matësi të energjisë elektrike.

Abuzimi me detyrën qëndron në faktin se këto leje janë dhënë, pavarësisht se muaj më parë u provua se ky lloj matësi, “Kohler”, kishte llogaritur në mënyrë të gabuar energjinë, duke dëmtuar qytetarët e Kosovës.

Pas marrjes në pyetje të të arrestuarve, prokurori i çështjes ka vendosur masën e paraburgimit për dy prej tyre, ndërsa i treti është liruar me procedurë të rregullt.

Në njoftimin zyrtar shtohet më tej se, hetimet mbi këtë rast pritet të zgjerohen edhe ndaj personave dhe subjekteve të tjera, që kanë ndihmuar në licencimin dhe instalimin e matësit të ndaluar.

Top Channel