Pesë pyetje për zonjën Nikolla

30/04/2015 00:00

Nga Redi Muçi – Çfarë ndodh kur shteti përdor arsimin publik për të joshur partnerët e biznesit? Gazeta “Shqip” e datës 24 prill, botoi letrën të cilën ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, u drejtonte bizneseve.

Sipas gazetares artikullshkruese, kjo letër konfirmonte argumentin se
qëllimi i reformës së shumëpërfolur, ashtu siç pretendojnë prej kohësh
përfaqësues të qeverisë dhe hartues të saj, është pikërisht vendosja e
bashkëpunimit mes bizneseve dhe universiteteve për të ulur papunësinë
dhe krijimin e një kulture donacioni të bizneseve ndaj universiteteve,
“jo rrënimi i publikut, siç pretendohet nga një pjesë e palëve të
interesit”.

Meqenëse, si pedagog i Universitetit Politeknik të Tiranës, e gjej veten pikërisht në pjesën e palëve të interesit të përmendur më sipër, shkrimi që vijon ka për qëllim ngritjen e disa pikëpyetjeve kundrejt argumenteve bindëse që përmban kjo letër, duke tentuar hamendësimin e disa përgjigjeve, me shpresën se lexuesi i këtyre radhëve do të ketë vullnetin e mirë për t’i zgjeruar më tej këto përgjigje.

Po e nis këtë hulumtim nga qëllimi i shpallur i kësaj reforme – as më pak e as më shumë – por “vendosmëria të zhvillojë fort një kulturë të donacionit” të bizneseve kundrejt universitetit. Pyes veten se cila është kultura e të bërit biznes në Shqipëri. Si janë mëkëmbur bizneset në këta 24 vjet tranzicioni ekonomik?

Mua më rezulton se “kultura” ka qenë ajo e akumulimit fillestar të kapitalit me çdo mjet, mënyrë dhe makinacion, qoftë ky shfrytëzimi dhe keqpagimi i punëtorëve me kontrata-fantazmë, korruptimi i çdo instance të pushtetit lokal e qendror në procesin e tenderimit, por jo vetëm, shkatërrimi i çdo resursi dhe pasurie publike apo vjedhja e taksave të popullit me mënyra nga më kreativet – që nga mospagimi i energjisë elektrike e deri te përfitimi i drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.

Por ministrja bën fjalë për një “kulturë” të re të donacionit. Pyes lexuesin, ky proces donacioni a do të shoqërohet me një mënyrë apo një tjetër përfitim të këtyre bizneseve apo do t’i bëhet thirrje thjesht e vetëm zemrës së madhe të biznesmenëve – si për shembull në rastet e katastrofave natyrore ku bizneset dërgojnë ndihma te viktimat, duke përfituar për të reklamuar produktin që do të zvogëlojë mjerimin e të prekurve?

Ministrja parashtron argumentin se papunësia e lartë në vend vjen si pasojë e faktit se “edhe kompanitë vuajnë për të gjetur profesionistët e duhur”. Më tej ajo shprehet se në këtë përfundim ka dalë “pas vërejtjeve të vazhdueshme të bëra prej [bizneseve] në panairet e punës”. Po ia lë në dorë lexuesit të papunë të komentojë lidhur me larminë e ofertave nëpër “panairet e punës”.

Unë ndërkohë po pyes veten se cilat janë aktualisht mundësitë e punësimit në sektorin privat dhe publik? Cilat janë këto biznese private? Çfarë prodhojnë? Për ç’lloj specialistësh kanë nevojë? Sa i përket sektorit privat, qofsha i gabuar, por më rezulton se e vetmja gjë që prodhojmë në këtë vend është betoni i armuar.

Shtylla e vetme e ekonomisë deri dje ka qenë sektori i ndërtimit, i cili tashmë ndodhet në një depresion të thellë prej më se katër vjetësh, dhe kjo aspak për faj të mungesës së specialistëve, por për shkak të krizës imobilare – rënies së kërkesës dhe fuqisë blerëse si pasojë e krizës ekonomike globale të kapitalit, veçanërisht përthyerjes së saj në Greqi prej nga buronte pjesa më e madhe e remitancave dhe shpenzimeve të punëtorisë së emigruar shqiptare.

Përveç sektorit të ndërtimit mbetet tregtia, por dyshoj se universiteti kështu siç është nuk prodhon dot tregtarë të hairit. Por çfarë tjetër? Fasoneritë dhe call center-at, të njohura edhe si qendra të shfrytëzimit të punëtorisë sipas modelit kinez – punë, punë natë e ditë, dhe orar fiks për të pirë dhe për të bërë ujë. Këto të fundit duhet pranuar se, së bashku me emigracionin në masë, kanë shërbyer si valvula efikase shkarkimi të dëshpërimit dhe revoltës së shumë të rinjve e të rejave (edhe për sa kohë ende?), por për to nuk besoj se vlen argumenti i mungesës së specialistëve që nxjerr universiteti.

Sa për sektorin publik, specialistët me eksperiencë 20 – 30-vjeçare duket se s’i ka kush në hesap. Vendin e tyre në administratën shtetërore e zë një ushtri e tërë militantësh partiakë, farefisnie krahinore dhe prostitutash luksi. Nëse prania e biznesmenëve në institucionet e arsimit të lartë do të synojë ta drejtojë studentin e sapodiplomuar drejt njërës prej kategorive të mësipërme, atëherë ministres i jap shumë të drejtë në argumentin e saj.

“Ligji i ri për arsimin e lartë ju mundëson të jeni pjesë e bordeve të administrimit të universiteteve”, shprehet ministrja në letër, duke iu drejtuar biznesmenëve. Por po vras mendjen: a nuk nënkupton kjo se vetë universitetet – në duart e biznesmenëve – do të funksionojnë si biznese?! Vallë ç’lloj modeli biznesi do ndiqet?

Në mendje më vjen një parti politike, e cila shkëlqen mbi shoqet në funksionimin si biznes. Dhe duhet pranuar se bëhet fjalë për një biznes mjaft të suksesshëm nga logjika e tregut: një votë 2000 lekë, njëqind vota një vend pune në administratë. Po pyes lexuesin: a nuk është Kuvendi i Republikës së Shqipërisë streha e biznesmenëve-politikanë?!

A nuk është kthyer ai në strofkën e “përfaqësuesve të popullit”, të pangopur në makutërinë e tyre dhe të pafytyrë në vulgaritetin mondan me të cilin qajnë hallet e popullit?! A nuk duket ky si fundi jo fort i largët i universitetit dhe arsimit publik?! A nuk do të kthehet dija jo vetëm në mall tregu, por në plaçkë lufte që do të ndahet mes burokratëve-biznesmenë nga njëra anë dhe biznesmenëve-gangsterë nga ana tjetër?!

Sipas ministres sonë virtuoze, “shkolla jonë nuk u përgjigjet modeleve të zhvillimit dhe kërkesave të tregut të punës në vend”. Madje ajo u bën thirrje bizneseve: “Besoni dhe përdorni universitetet shqiptare për studimet e tregut”. Se në ç’mënyrë do t’i shërbejë universiteti studimit të tregut, për këtë veçse mund të hamendësoj, për shembull, ndikimin që do të kishte e famshmja 2K në këtë proces. Përse të mos shtohej vallë në kurrikulat e fakultetit të filozofisë rubrika e dikurshme “Me Kokëdhimën në: Si të bëhesh milioner?”?!

Vallë cili student s’do të ishte i gatshëm të paguante një tarifë sado të kripur studimi nëse njohuritë e përftuara do ta kthenin në milioner?! Ministrja argumenton se shkolla nuk u përshtatet modeleve të tregut, por a ma lejon lexuesi pyetjen: mos ndoshta është tregu ai që duhet t’u përshtatet nevojave të shoqërisë, që më mirë se kushdo tjetër i nxjerr në pah puna e pavarur kritike dhe kërkimore e universitarëve?!

A nuk u takon universitarëve detyra sokratike e këqyrjes së funksionimit të ekonomisë, të shërbimeve sociale që duhet të ofrojë shteti, të treguesve të mirëqenies dhe nevojave bazike të qytetarëve, si strehimi, të ushqyerit, shërbimi shëndetësor etj?! A nuk u takon atyre përcaktimi i normave urbanistike dhe estetike të zhvillimit të qendrave urbane dhe rurale?! Kush përveçse universitarët do të mund të shfaqin panoramën e gjymtimit që ka përjetuar shoqëria shqiptare në kaosin njëzetekatërvjeçar?! Mos vallë bizneset dhe tregu?! Po pyes përsëri: cilat biznese?!

Në vend se të kushtëzohen bizneset nëpërmjet taksimit të lartë për të rritur financimin dhe cilësinë e universitetit, universiteti po u ofrohet atyre si një mundësi shtesë pasurimi. Në vend se bizneset të kushtëzohen që të ofrojnë te studentët mundësi eksperience në punë, atyre studentët po u ofrohen si punëtorë krahu të lirë. Padyshim që partia e quajtur “socialiste” nuk ngre taksat për bizneset. Ajo ngre duart lart. Madje ajo ia shtrin duart biznesit: “Edukimi cilësor kërkon një financim më të madh.

Ndaj lejomëni t’ju drejtohem me lutjen që të ktheni kryet nga arsimi si një nga potencialet e zhvillimit të biznesit tuaj”. Mjerimi migjenian ka më tepër dinjitet në shtrirjen e duarve drejt pasanikëve, vocërrakët e jetimores te “Lulëkuqe mbi mure” kanë më shumë kryelartësi kur detyrohen të përshëndetin bamirësin, sesa shteti ynë i korruptuar në lutjen që i bën botës së biznesit.

Pyetjen e fundit po ia lë në dorë përsëri lexuesit për interpretim. Ç’ka dashur të thotë vallë ministrja duke iu drejtuar biznesmenëve: “Në sistemin tonë universitar do të gjeni pedagogë gjithnjë e më të mirë, studentë gjithnjë e më të mirë, që do t’u përgjigjen kërkesave tuaja.”?

Gazeta “Shqip”

Top Channel