Rezoluta e BE-së për Azilin dhe Migrimin, Meta: Aksion i përbashkët kundër trafikantëve

30/04/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Europian mbi krizën humanitare të Mesdheut, votuar dje me shumicë dërrmuese, dhe ka inkurajuar ndërmarrjen e një aksioni të përbashkët kundër trafikantëve.

“Kuvendi i Shqipërisë inkurajon koordinimin e një aksioni më të integruar dhe më të fortë mes vendeve anëtare, kandidate dhe partnere të Bashkimit Europian për marrjen e masave të menjëhershme dhe efikase, me qëllim parandalimin e kësaj plage të dhimbshme të Mesdheut, që kërcënon të marrë me qindra mijëra jetë të tjera njerëzish të pafajshëm e në nevojë”, është shprehur ai.

Për kryeparlamentarin Meta, si vend mesdhetar dhe europian, Shqipëria qëndron përkrah partnerëve tanë të BE-së dhe është e gatshme të rrisë përpjekjet dhe kontributin e saj kundër trafikantëve të qenieve njerëzore, e njëkohësisht “shpreh solidaritetin e shoqërisë shqiptare me viktimat e luftërave që rrezikojnë jetët e tyre në ujërat e Mesdheut, në kërkim të një strehe shpëtimi në vendet europiane”.

Kreu i Kuvendit shprehet i bindur se “hapësira mesdhetare duhet të jetë një zonë zhvillimi social e bashkëpunimi ekonomik, dhe jo një vijë kufitare vdekjeprurëse”.

“Mbështesim përpjekjet e Parlamentit Europian dhe të strukturave ekzekutive të BE-së, për koordinimin e një aksioni të përbashkët europian dhe për gjetjen e mekanizmave solidarë që reflektojnë vlerat humaniste europiane, duke mbrojtur e shpëtuar jetët e njerëzve të pafajshëm dhe të dëshpëruar”, ka theksuar Meta në deklaratën e tij.

Top Channel