Halimi në Kashar për integrimin e zonave rurale në bashki

30/04/2015 00:00

Kandidati demokrat, Halim Kosova ishte në Kashar për të dëgjuar qytetarët e kësaj ish-komune, sesi kjo zonë të integrohet sa më shpejt dhe sa më mirë në Bashkinë e re të Tiranës.

Për Halim Kosovën, ajo nga çfarë vuajnë shqiptarët është mungesa e konkretizimit të premtimeve, por ai garantoi se drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit prej tij do ta karakterizojë vendosja e afateve për realizimin e çdo projekti.

“Dhe unë mendoj që këtu vuan Shqipëria. Nuk vuan për të shkruajtur letra, për të bërë programe, por ato duhen çuar te qytetari. Te qytetari çohen duke u bërë realitet. Që çdo njeri duhet ta dijë, aty ku banon, që po fillon ky projekt sot dhe për kaq kohë do të mbarojë”, tha Halim Kosova.

Në bashkëbisedimin me banorët e Kasharit, kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës u shpreh i vendosur të bëjë më të mirën për njerëzit punëtorë dhe të ndershëm, duke bërë të kundërtën e asaj që promovohet nga qevrisja e sotme.

“Nuk ka shembull më të keq për çdo qytetar të këtij vendi, që djersa të groposet dhe abuzimi të lulëzojë”, tha më tej Halim Kosova.

Halim Kosova beson se do të ketë mbështetjen e qytetarëve për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, por me modesti ai thotë se nuk i pëlqen ta quajnë qytetar i parë.

“Tirana nuk është e imja. Të gjithë duhet të konsiderojmë që Tirana është e jona. Në qoftë se më thotë njeri që je qytetari i parë i Tiranës, absolutisht nuk e pranoj këtë. Unë jam një njeri, që kam pranuar të marr mbi vete përgjegjësi, në mënyrë që të bëjmë më të mirën për qytetin tonë. Unë jam i sigurt se, së bashku do të ndërtojmë një Tiranë moderne dhe europiane”, ka mbyllur deklaratën e tij Kosova.

Top Channel