Tragjedia e fundit detare, identifikohen 200 senegalezë mes mbi 750 viktimave

30/04/2015 00:00

200 prej emigrantëve të mbytur përpara portave të Europës në tragjedinë më të fundit të konsumuar në ujërat e detit Mesdhe, ishin nga Senegali.

Vetëm tani, autoritetet kanë mundur të zbardhin identitetet e një pjese të viktimave të episodit fatkeq. Të dhënat janë konfirmuar prej disa të mbijetuarve.

Opinioni publik ende është i tronditur nga vdekjet e 750 klandestinëve të mbytur më 18 Prill, pasi anija me të cilën udhëtonin u fundos pak pas nisjes nga Libia.

Liderët europianë janë zotuar të trefishojnë fondet për operacionet e shpëtimit të varkave me emigrantë në Mesdhe. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme në Senegal i tha BBC-së se, edhe vendet afrikane duhet të bëjnë më shumë për zgjidhjen e krizës së emigrantëve të paligjshëm.

Sipas tij, kjo nuk është një çështje, që kërkon vetëm masa emergjente, por të gjithë së bashku duhet të punojnë pë gjetjen e zgjidhjeve afatgjata, në të kundërt, situata të tilla do të vazhdojnë të përsëriten.

Top Channel