Stamboll, Rama fton sipërmarrësit turq të investojnë në energji, turizëm, bujqësi…

30/04/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama sheh te Turqia jo vetëm ndryshimin e një vendi, por edhe një vend me të cilin Shqipëria mund të forcojë marrëdhëniet ekonomike, shkëmbimet tregtare dhe rritjen e investitorëve të saj në vendin tonë.

Në vizitën njëditore në Stamboll, kreu i qeverisë shqiptare, përpara forumit të biznesmenëve turq, paraqiti fushat ku mund të investohet në Shqipëri.

“Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe ambicia jonë është të krijojmë kushtet për Investime të Huaja Direkte shumë të rëndësishme në disa fusha, ndër të cilat kryesorja është turizmi”, tha kryeministri Rama.

Një model i ri i qëndrueshëm zhvillimi është ai, që kryeministri thotë se qeveria e tij ka synim. Për këtë, tha ai përpara investitorëve turq, lufta për rritjen ekonomike po bëhet në burimet e qëndrueshme, konkretisht në 5 të tilla: energjia, nafta, mineralet, bujqësia e manifakturat, si dhe turizmi, si një destinacion totalisht i paeksploruar, por që shumë botime prestigjioze ndërkombëtare, si dhe agjenci të mëdha të turizimit, vit pas viti po shtojnë Shqipërinë në sugjerimet e tyre për turistët.

“Shpresojmë fort, se do të krijojmë kushtet dhe të bindim investitorët turq, që të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në turizëm. Duam të investojmë në një turizëm të cilësisë së lartë. Dhe Shqipëria ka një cilësi fantastike, sepse nuk është kurrë një vend i mërzitshëm. Ndaj, ju lutem, ejani dhe qëndroni në Shqipëri një, dy, 3, 4 ose më shumë ditë, dhe keni për të parë se do të përjetoni shumë gjëra, por kurrë nuk do të mërziteni”, deklaroi më tej kryeministri Rama.

Vizita njëditore e kryeministrit në Stamboll u bë një ditë më parë objekt reagimesh, jo vetëm mes palëve, por që përfshiu edhe Ambasadën turke, pas deklarimit publik të opozitës, se vizita e Ramës ishte sekrete dhe kishte qëllimin e diskutimit të dhënies me koncesion të Hidrocentralit të Skavicës një konsorciumi turk.

Ndërsa Kryeministria e hodhi poshtë këtë akuzë, Ambasada e Turqisë deklaroi gjithashtu se ishte informuar në kohë për vizitën e shefit të qeverisë shqiptare në edicionin e 15-të të Forumit ekonomik “Tryeza e ideve” në Stamboll, duke i cilësuar të pabaza deklarimet e PD-së.

Top Channel