Pandëshkueshmëria e korrupsionit. Në 10 të denoncuar, një dënohet

30/04/2015 00:00

Ndëshkimi i personave, që bëjnë korrupsion apo shkelin ligjet, është në nivele shumë të ulëta. Pandëshkueshmëria nga organet gjyqësore, sipas statistikave përllogaritet në raportin 9 me 1.

Drejtoresha e kabinetit pranë Ministrisë për Çështjet Vendore deklaron se, gjithçka çalon në zinxhirin Prokurori-gjykatë.

“Ende Gjyqësori ka një performancë të ulët në ndëshkimin e rasteve të korrupsionit. Për vitin 2014, shifra të regjistruara në total që nga fillimi i hetimit, janë 950 raste, nga të cilat vetëm 138 janë dërguar për procedim penal në gjykatë”, tha Eridana Çano, drejtore e kabinetit në Ministrinë për Çështjet Vendore.

Në një studim të bërë nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, me mbështetjen e Fondacionit “Soros”, rezulton se gatishmëria për të raportuar shkelje ligjore me sfond korruptiv është e ulët nga qytetarët.

“Institucionet nuk janë të shkëputura nga përditshmëria shqiptare. Janë institucione që, në njëfarë mënyrë, reagimin e tyre e marrin edhe si arsye të trysnisë dhe presioneve që vijnë nga qytetarët shqiptarë, nga gjithë shoqëria. Presion ky, që nëse themi të drejtën, është i ulët. Ka shumë pritshmëri, por ka edhe ‘përtaci’ apo pasivitet nga ana e qytetarit për t’i ndëshkuar këto fenomene”, tha Andi Dobrusha, drejtor i “Soros”.

Rezultatet dolën nga një anketë kombëtare me 1200 persona mbi moshën 18 vjeç. 7 ndër 10 personat e pyetur deklarojnë se, pandëshkueshmëria është një fenomen shumë i përhapur, por vetëm 10% e të anketuarve thonë se kanë marrë pjesë në ndonjë protestë për të denoncuar fenomene korruptive, çka mund të nxisnin më pas edhe ndëshkueshmërinë.

84% e të intervistuarve mendojnë se ryshfeti është një faktor, që influencon në vendimet e gjyqtarëve, ndërkohë që 72% e tyre mendojnë për lidhje të biznesit me gjyqtarët.

Top Channel