Blushi: Po qeverisim si Saliu. Shumica të korrigjojë vetveten

30/04/2015 00:00

Deputeti socialist, Ben Blushi ka shpërthyer sërish në akuza ndaj mënyrës së qeverisjes së mazhorancës edhe në seancën e kësaj të enjteje në Parlament.

Gjatë fjalës së tij, Blushi kërkoi që qeveria të jetë e vërtetë përpara shqiptarëve dhe të shmangë qeverisjen si qeveria e ish-kryeministrit Berisha.

“Kjo shumicë ka nevojë të korrigjojë vetveten. Ka më shumë rëndësi e vërteta se partia. Çmimi i energjisë është rritur dhe kjo është po aq e vërtetë sa ‘sot është e enjte’. Premtuam 300 mijë vende pune, Kukësi po zbrazet! Jeni duke ndjekur fantazmën e Saliut duke qeverisur si ai. Ka shumë njerëz këtu që po ndjekin Saliun dhe unë këtë nuk do e lejoj. Qeverisim si Saliu, por pa Saliun! Qeveria po qeveris sot si Saliu dhe ju nuk mund të jeni shokë me Saliun. Unë nuk flas si Saliu, dua që ju të mos jeni si Saliu dhe do bëj çdo gjë deri në fund, edhe me kosto, që kjo të mos ndodhë”, deklaroi Blushi.

Fjala e zgjeruar deputetit Ben Blushi në seancë parlamentare:

Dua në fillim të mbështes të gjithë kolegët, sidomos nga krahu i majtë, që bënë të mundur korrektimin e një padrejtësie që iu servir parlamentit dy javët e fundit, heqjen e nenit 92 që parashikonte sekuestrimin e banesës. Atij që nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike t’i vihej barrë mbi shpinë.

Në një kuptim, t’i sekuestrohej banesa një fukarai se nuk ka mundësi të paguajë drita. Ky nen është i rëndësishëm për ata që nuk i prek, ka një rëndësi tjetër që dua ta theksoj, tregon se kjo shumicë ka mundësi të korrektojë veten, shumicën.

Pra, kjo shumicë ka mundësi, ka mundësi të korrektojë veten dhe ky është një frymëzim i madh për njerëz si puna ime që kanë vendosur të flasin duke besuar se për Shqipërinë ka më shumë rëndësi e vërteta sesa partia. Ka më shumë rëndësi e vërteta sesa PS, apo çdo parti e marrë bashkë.

Sigurisht ka njerëz që nuk janë dakord me mua dhe meqë i kam përballë kam arsye t’ua them përballë: ka shumë njerëz që më thonë s’ke të drejtë! Papunësia, borxhi nuk është rritur, taksat janë balancuar. Unë i kuptoj të gjithë ata që nuk mendojnë si unë dhe i mirëkuptoj dhe i inkurajoj të flasin më shumë, siç ka shumë të tjerë që mbase kanë nevojë të mbarojnë ndonjë punë, sepse të mbarosh ndonjë punë me këtë qeveri sot, është shumë e vështirë. E të mbarosh punë me këtë qeveri sot, duke më sharë mua ta bëjnë 3 herë, 4 herë, 5 herë derisa ta mbarojnë punën, sepse nëse mbaroni punën duke më sharë mua është kosto më e vogël.

Por ka dhe ca të tjerë që më kanë thënë që unë flas me gjuhën e Saliut. Këta më kanë detyruar të vij sot të flas. Dua tu them dicka, mbase nuk e dinë, Saliu është një fantazmë, dhe fantazma ka një veti. Disa i ndjek dhe disa e ndjekin. Do ju them sot kush e ndjek Saliun. Kam një pyetje për ju që më thoni mua flas me gjuhën e Saliut dhe një pyetje për shqiptarët që kuptojnë më mirë.

Mua Saliu as më ndjek dhe as e ndjek dhe po ju them kush e ndjek: E ndjekin ata si puna ime që thonë që papunësia në Shqipëri është rritur në dy vjet apo ata që kanë thënë do fusim 300 mijë veta në punë, sot thonë që kemi futur 92 mijë veta në punë, ndërkohë që nga Kukësi, një fshat a një lagje po zbrazet?!

Kush po e ndjek Saliun, ne që e themi apo ju që qeverisni?! Ata që thonë që një shqiptar i varfër merr më pak para nga shteti apo ata që kanë mundësi që 100 mijë familje në Shqipëri t’i nxjerrin nga mjerimi me më pak se 2 mijë lekë në ditë

Kush pra po e ndjek fantazmën e Saliut?! E ndjekin ata që thonë se çmimi i energjisë është rritur siç jam unë njëri prej tyre dhe them, po çmimi i energjisë është rritur. Kjo është kaq e vërtetë sa ‘sot është e enjte’ dhe nesër e premte 1 maj. Kush pra e ndjek Saliun.

Kush pra e ndjek Saliun?! Ata që rrisin çmimin e energjisë apo ata që energjinë që ne e prodhojmë, e shesin më lirë dhe atë që e blejmë e shesin më shtrenjtë?! Kush pra e ndjek Saliun në Shqipëri?!
Ata që thanë do ulin borxhin, apo ata që e kanë çuar borxhin publik mbi 7 miliardë dollarë dhe nuk pranojnë as ta pranojnë këtë?! Ata që thonë që sot po humbim popullsinë dhe nëse vazhdojmë kështu, Shqipëria mund të shpopullohet për shkak të varfërisë, keqqeverisjes dhe papunësisë?! Apo ata që thonë se shqiptarët po ikin se i do Gjermania për elektriçistë e hidraulikë?!

Kush e ndjek Saliun pra?! Ata që flasin si Saliu dhe nuk kanë guximin në dy javë t’u thonë shqiptarëve mos ikni nga Shqipëria?! A keni dëgjuar njeri të thotë mos ikni nga Shqipëria nga kjo qeveri?!

Top Channel