Miratimi i MSA-së, qeveria: Hap drejt integrimit në BE. Opozita: E ndryshme nga ato të vendeve të rajonit. Reagon edhe Zhbogar

30/04/2015 00:00

Miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian ka marrë vlerësime të ndryshme në Prishtinë.

Përfaqësues të Qeverisë vlerësojnë se, MSA-ja do t’i hapë rrugë integrimit më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ndërsa sipas opozitës në Prishtinë, MSA-ja për Kosovën nuk është e njëjtë me MSA-të, që kanë nënshkruar vendet e tjera të rajonit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda tha se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit nuk do t’i hapë rrugë Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Bashkim Evropian.

“Ne ende nuk e dimë përmbajtjen e MSA-së mirëfilli, por atë që dimë është se kjo MSA, edhe pse shumë e rëndësishme për Kosovën, nuk është e njëjtë sikurse me shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor, sepse BE-ja nuk e njeh shtetin e Kosovës. Me këtë MSA që kemi, ne nuk mund të aplikojmë për të qenë vend anëtar në Bashkim Evropian, dhe as që mund ta marrim statusin e kandidatit, për shkak se e tillë është MSA-ja”, tha Ilir Deda, deputet i Vetëvendosjes.

Deda tha se Kosova duhet të nisë një dialog politik me vendet e Bashkimit Evropian, që e kanë njohur Kosovën, dhe të kërkojë prej tyre mbështetje për anëtarësim më të shpejtë, pasi sipas tij Kosova nuk mund të mbetet peng i politikave të brendshme të 5 vendeve të BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë.

Pas miratimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në Bruksel, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar e ka vlerësuar atë si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Zhbogar ka vlerësuar se, kur të hyjë në fuqi MSA-ja do të forcojë pozicionin e Kosovës në rrjedhat e përgjithshme të politikës së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja për Stabilizim-Asociimin është gjithëpërfshirëse dhe mbulon bashkëpunimin në një spektër të gjerë sektorësh, si drejtësia, tregtia, arsimi, punësimi, energjia, mjedisi dhe një varg politikash në fusha të tjera.

Top Channel