Kosovë, vijon greva e arsimtarëve. Kërkojnë kompensim të përvojës së punës

30/04/2015 00:00

Greva e institucioneve arsimore në Kosovë ka vazhduar edhe të enjten, me kërkesën e punonjësve të këtij sektori, që t’u kompensohet përvoja e punës. Sipas grevistëve, janë bërë shumë gabime në llogaritjen e përvojës së punës të mbi 90% të punësuarve, të cilëve u mungojnë 7 vite.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj u është përgjigjur edhe qëndrimeve të qeverisë në mbledhjen e së mërkurës, ku ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se të gjithë mësimdhënësit e Kosovës do t’i marrin më të ulëta pagat e muajit tjetër, për shkak të orëve të humbura në grevë.

Ai tha se, ministri Hoti është nxituar dhe se nuk i takon një ministri të bëjë presion të tillë, pasi në këtë mënyrë shkel ligjin.

“Ligji për grevat e thotë qartë se, cilido person e ka të ndaluar të bëjë presione ndaj grevistëve. Madje, grevistët në një grevë të lejuar, siç është kjo e jona, nuk mund të ndëshkohen as materialisht, as në ndonjë formë tjetër. Deklarata e Hotit, se do të ketë ndalesa në muajin maj është e pabazuar dhe është shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit. Kam frikë se, edhe në opinionin ndërkombëtar do të fitohet një përshtypje, një imazh i keq për Kosovën, sepse kjo mund të merret si presion dhe si pengesë e lirisë dhe e organizimit sindikalist”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.

Rrahman Jasharaj tha gjithashtu se 99% e institucioneve arsimore vazhdojnë të jenë të përfshira në grevë. Ai konfirmoi se edhe Universiteti i Prishtinës është në grevë. Sipas tij, 14 fakultete, sikurse edhe dje e kanë vazhduar grevën, bashkë me Fakultetin e Mitrovicës.

Rrahman Jasharaj shtoi se nuk dihet deri kur do të vazhdojë greva, duke njoftuar se të dielën këshilli i grevistëve do të dalë me vendime të mëtejshme.

Top Channel