Inter i ofron kontratë 4-vjeçare Yaya Toure-s

30/04/2015 00:00

Interi vazhdon të këmbëngulë për mesfushorin e City-t, Yaya Toure. Shoqëria zikaltër ka filluar kontaktet e para me agjentin e lojtarit dhe i ka propozuar një kontratë 4-vjeçare.

Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për mesfushorin, të cilit i garantohet se do të luajë në nivele të larta të paktën edhe katër sezone në vazhdim. 31-vjeçari nuk është duke kaluar një sezon të mirë duke qenë në qendër të kritikave të shumta që vijnë jo vetëm nga mediat, por edhe nga tifozët.

Problemi kryesor që mbetet për t’u zgjidhur është paga. Toure përfiton 13 milionë euro në sezon në Angli, gjë që është e pamundur për t’u mbuluar nga zikaltërit, të cilët po detyrohen të shkurtojnë shpenzimet për të qenë brenda rregullit për Fair-Play financiar.

Zikaltërit duan të shfrytëzojnë raportet e mira të Mancinit me Touren për ta bindur kapitenin e përfaqësueses së Bregut të Fildishtë që ta përgjysmojë pagën e tij.

Kontrata aktuale e 31-vjeçarit me City-n përfundon në verën e vitit 2017.

Top Channel