PE miraton rezolutën për Shqipërinë: Përparim domethënës drejt përmbushjes së kritereve

30/04/2015 00:00

Parlamenti Europian miratoi me shumicë votash rezolutën për Shqipërinë, ku njihet “përparim domethënës në përmbushjen e kritereve politike për integrimin” në Union. Por, “grindjet politike penguan progresin e reformave në vend gjatë 2014-s”, thuhet në dokumentin që “u bën thirrje qeverisë dhe opozitës për të bashkëpunuar me përgjegjësi dhe konstruktivitet”.

Parlamenti Europian çmon se vendi duhet të forcojë institucionet demokratike, të trajtojë korrupsionin dhe të sigurojë një Administratë Publike të depolitizuar dhe profesionale. Legjislativi europian vëren se “lufta kundër krimit të organizuar mbetet sfidë madhore” dhe se “Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të siguruar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e Gjyqësorit”, sikundër “për të garantuar pavarësinë e transmetuesit publik”.

Rezoluta i “bën thirrje Shqipërisë për të krijuar gjurmë provash të forta, për reformat që lidhen me BE-në”.

Përmes një komunikate për shtyp, raportuesi Fleckenstein inkurajon për vazhdimin e reformave për nisjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit, ndërsa thekson rëndësinë e “krijimit të besimit tek institucionet”. Sipas tij, “qeveria shqiptare po punon në reformat kyçe, të nevojshme për të përgatitur vendin për anëtarësim në BE”, të cilat “duhet të debatohen gjerësisht në Parlament, por edhe me shoqërinë civile”.

“Rezoluta lavdëron Shqipërinë për klimën e tolerancës fetare, qëndrimin konstruktiv dhe proaktiv në bashkëpunimin rajonal dhe dypalësh, veçanërisht me Serbinë, dhe përputhjen e plotë me pozicionet e politikës së Jashtme dhe të Mbrojtjes së BE-së”, por njoftimi për shtyp i PE-së shton “shqetësimin e eurodeputetëve për deklaratat e kryeministrit shqiptar, në të cilat ai spekulon mbi unifikimin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova”.

Vetëm për këtë çështje u paraqitën të tjera amendamente shtesë për votim në seancën plenare, pas draftit të pajtuar muajin e kaluar, në Komitetin e Jashtëm europarlamentar. Me 425 vota pro, nga 643 të pranishëm në sallë, PE pranoi propozimin e PPE-së, i cili gëzonte disi dhe mbështetjen e socialdemokratëve, për shkak të një gjuhe më të butë se versioni  i ashpër i liberalëve, që kritikonte për të njëjtën gjë kryeministrin Rama.

“Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në Ballkan. Ne e njohim qëndrimin e saj konstruktiv dhe proaktiv mbi sigurinë rajonale, stabilitetin dhe bashkëpunimin me shtetet fqinje. Ndaj dhe ne dekurajojmë deklaratat, që mund të dërgojnë sinjale të gabuara”, pranon në fund të qëndrimit të tij raportuesi Fleckenstein.

Rezolutat e PE-së kanë vetëm rol këshillues dhe jo detyrues, në procesin vendimmarrës të BE-së për politikën e zgjerimit.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel