Prishtina u heq shpenzimet e varrimit qytetarëve të saj

30/04/2015 00:00

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka vendosur që t’u paguajë  të gjithë qytetarëve prishtinas shpenzimet e funeralit të familjarëve të afërt, deri në shumën prej 171 euro.

“Me këtë vendim përcaktohet se, këtë të drejtë mund ta shfrytëzojnë familjarët e ngushtë të personave që kanë ndërruar jetë. Për ta realizuar këtë, banorët e Komunës së Prishtinës duhet të jenë të pajisur me faturën për shërbimet e Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Hortikultura’, faturën nga bashkësia fetare përmes së cilës janë kryer ritet fetare për personin e ndjerë (në rast se i/e ndjeri/a i është nënshtruar ritualeve fetare), si dhe faturën nga kompania përkatëse që është shfrytëzuar për transportimin e të ndjerit/ës”, thuhet në një njoftim nga komuna e Prishtinës.

Sipas këtij njoftimi, të gjithë personat e interesuar për shfrytëzimin e kësaj të drejte nuk duhet ta kalojnë periudhën kohore prej 30 ditësh, duke llogaritur nga data e vdekjes së personit.

Gjithashtu, familjarët e ngushtë duhet të kenë me vete edhe ekstraktin e lindjes dhe certifikatën e vdekjes të personit që ka ndërruar jetë, një dokument identifikimi dhe numrin e llogarisë bankare.

Heqja e shpenzimeve të varrimit është vendosur edhe në disa komuna të Kosovës, si në Mitrovicë, Podujevë, Gjilan, etj.

Top Channel