Kuvend, miratohen “Dosjet”. Ligji garanton të drejtën e informimit, por nuk njeh lustracionin

30/04/2015 00:00

Parlamenti miratoi ligjin për hapjen e dosjeve të propozuar nga mazhoranca, i cili ka në themel informimin.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, për herë të fundit në Kuvend me këtë status, ka argumentuar sesi do të implementohet ky ligj i cili në themel të tij ka transparencën dhe jo lustracionin, i cili bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë.

“Hapja e dosjeve është një moment që teston thellë fibrën morale të shoqërisë dhe jetës sonë publike, jo më shumë për sekretet që do të zbulojë sesa për mënyrën sesi shoqëria jonë do të arrijë të përballet me të shkuarën e saj më të errët. Ky Kuvend shqyrton sot, mundëson përmes një procesi të mirërregulluar të drejtën për t’u njohur me materialet e grumbulluara ndaj tyre në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për të gjithë personat të cilët kanë qenë drejtpërdrejtë të prekur nga veprimtaria e ish-Sigurimit të Shtetit. Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur, por edhe vetë bashkëpunëtorët, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji, do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së sigurimit”, u shpreh Veliaj.

Por, para kësaj deklarate, deputetja Mesila Doda, e cila është edhe relatorja e projektligjit të propozuar nga shoqëria civile dhe e mbështetur nga e djathta, ka  theksuar se vetëm lustracioni mund të sjellë drejtësi për këtë shtresë të shoqërisë: “Po mbron arkitektët dhe ofiqarët e regjimit që vrau dhe dhunoi kishat, përndoqi klerikët e feve, burgosi mijëra intelektualë dhe shkatërroi ADN-në e këtij kombi. A e mendon se ç’do të thotë t’i dalësh sot zot armatës së xhelatëve që kanë pushtuar zyrat e shtetit dhe vendimmarrjen e politikës? I ke në Parlament, i ke në qeveri, ministrin e Ramiz Alisë e ke pranë vetes, i ke në polici, gjykatë dhe diplomaci”.

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, tha se lustracioni nuk mund të kryhet pasi është antikushtetues dhe argumentoi se ka dosje që nuk do të hapen asnjëherë: “Mbi 20 vite që kemi qeverisur ne dhe PD-ja. Këtu ishit. Ka një diferencë mes asaj që quhet e drejtë dhe drejtësi. Ne po diskutojmë për të drejtën dhe jo për drejtësinë. Nëse do të diskutonim për drejtësinë, atëherë diskutimi do të merrte një drejtim tjetër. Propozimet që kanë sjellë kolegët e opozitës janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese”.

Normal
0

false
false
false

EN-US
X-NONE
X-NONE

MicrosoftInternetExplorer4

“Si flasim ne për persekutimin komunist dhe kërkojmë të bëjmë edhe ligj për të hapur dosjet, kur sot e kësaj dite mbajmë diktatorin Enver Hoxha si hero të popullit. Lustracioni është një domosdoshmëri”, tha kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

“Nëse do të flasim për drejtësi, fajtorët për këtë që ka ndodhur në Shqipëri nuk janë ata që ne do u hapim dosjet, por është një vertikale e madhe. Por, mirë është që kur flasim për këtë vertikale, secili të shikojë nga vetja. Ne do të pranojmë pjesën që na takon”, shtoi Majko.

Ky ligj i jep ish të përndjekurve politikë dhe shoqërisë civile të drejtën e informimit, por jo të lustracionit. Mazhoranca, përmes këtij ligji, ka kërkuar që një pjesë e zyrtarëve të lartë, para se të emërohen, të shikohet nëse kanë ose jo dosje, pra të verifikohet pastërtia e figurës së tyre.

Top Channel