Dielli na mbron nga kanceri pankreatik

30/04/2015 00:00

Lajme të mira për ata që pëlqejnë diellin. Sipas një studimi të Departamentit të Mjekësisë së Universitetit të Kalifornisë, rrezet e diellit ndihmojnë trupin që të ketë në sasi normale vitaminën D, që na mbron nga kanceri pankreatik.

Studimi, që është shtrirë në 107 vende të botës, ka rezultuar se njerëzit që jetojnë në vende ku ka më pak ditë me diell brenda një viti kanë më pak vitaminë D në trup sesa ata që janë më të ekspozuar në diell.

“Nëse ju jetoni në një vend të ftohtë dhe ditët me diell janë të pakta në numër brenda një viti, atëherë trupi juaj nuk zotëron në nivele të duhura vitaminën D që na mbron nga kanceri pankreatik. Këtë vitaminë ne e marrim nga dielli dhe gjendet në pak produkte si vaji i peshkut dhe vezët”, ka thënë Cedric Garland, profesor në Universitetin e Kalifornisë.

Sipas rezultatave të këtij studimi, numri i të prekurve nga ky lloj i kancerit është më i madh në Europë dhe Amerikën Veriore, ndërsa më i ulët në Afrikë dhe Azi.

Vetëm këtë vit në SHBA janë diagnostifikuar me kancerin pankreatik rreth 50 mijë veta.
 
 

Top Channel