Erion Veliaj mbyll me “Dosjet” punën si ministër

30/04/2015 00:00

Në fjalën e fundit në Kuvend si Ministër i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj vlerësoi kalimin e ligjit të dosjeve si një ndër ligjet më të mira që ka pasur vendi për dekomunistizimin.

“Është transplantimi më i mirë i përvojës gjermane në çështjet e transparencës për dosjet e sigurimit të shtetit në Shqipëri. Falenderoj prezencën e OSBE-së në Tiranë që mbështeti draftin e paraqitur nga Qeveria, si dhe ndihmën që dha për të siguruar në çdo rast respektimin e praktikave më të mira ndërkombëtare”- deklaroi Veliaj.

Veliaj tha se hapja e dosjeve teston fibrën morale të shoqërisë shqiptare, jo më shumë për sekretet që do të zbulohen, por për mënyrën sesi do të përballet shoqëria jonë me këtë të shkuar të errët.

Me miratimin e këtij ligji, Shqipëria i bashkohet, edhe pse me vonesë, listës së gjatë të vendeve të Europës Lindore që e kanë kryer këtë proces prej vitesh. I vetmi vend që nuk ka hapur ende dosjet nga ish-blloku komunist mbetet Rusia.

Pak pas fjalës së mbajtur në Kuvend, Veliaj iu drejtua një takimi të organizuar me kolegë dhe anëtarë të Ministrisë së Mirëqënies Sociale për t’iu dhënë përshëndetjen e fundit si epror i tyre dhe për të vazhduar vetëm me garën për t’u zgjedhur kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në më pak se dy vjet në krye të Mirëqënies Sociale, Veliaj ka udhëhequr një sërë reformash që kanë prekur shtresa të mëdha të shoqërisë. Ai vlerëson si të suksesshme reformën e pensioneve, atë të pastrimit të skemës së ndihmës sociale, ligjin e dosjeve dhe arsimin profesional.

Top Channel