“Merkatoja” e deputetëve, Ylli Shehu braktis PR për LSI-në

30/04/2015 00:00

Në Parlamentin shqiptar ndodh rëndom ajo që me të drejtë shpesh është quajtur “merkatoja” e deputetëve, e cila theksohet më shumë sa herë që në prag ka zgjedhje.

E në prag të zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit, opozita reduktohet me një tjetër deputet. Ylli Shehu, i dalë nga lista e republikanëve për Tiranën, ka braktisur këtë subjekt politik opozitar për t’iu bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Pas kalimit të tij LSI bëhet me 20 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2013, kësaj force i janë bashkuar 3 deputetë, ndërsa Shehu është deputeti i dytë i partisë së Fatmir Mediut që largohet. Më herët ka qenë Luan Duzha i qarkut të Elbasanit ai që deklaroi largimin nga opozita dhe afrimin me partinë e Ilir Metës.

Ndërkohë që edhe ish-socialisti Gjovalin Kadeli braktisi PD-në pas zgjedhjeve të 2013-ës, për t’iu bashkuar po LSI-së.

Top Channel