Lori, ndihma më e vyer për nënën e trinjakëve

30/04/2015 00:00

Rrobat e Reit, djalit 2-vjeçar të Lorit, janë bërë gati për të shkuar në një tjetër destinacion. Prej shumë kohësh, nëna e tij e re ndihmon nënat e tjera, të cilat nuk kanë mundësi t’u mbulojnë fëmijëve të tyre nevojat për veshmbathje, por edhe ushqim.

“Të kam sjellë ca rroba për djemtë. Disa janë të Reit, disa të fëmijëve të shoqeve, që kontribuan për të ndihmuar djemtë e tu. Shpresoj të të hyjnë në punë”, tha Lori.

Erjona Fezollari është nga Pogradeci. Ajo ka 4 fëmijë. Nailen 4 vjeç dhe djemtë e saj trinjakë, të ardhur në jetë 7 muaj më parë; Rei, Zeidi dhe Amari. Ishin pikërisht rrethanat e vështira të shtatzënisë, ato të cilat e lidhën me Lorin.

“Kur mësova që isha shtatzënë me trinjakë, një shoqe më tha të shkruaja në një faqe interneti për bebat dhe nënat e reja, ku të kërkoja ndihmë. E para që m’u përgjigj ishte Lori, e cila shprehu dëshirën e saj për të më ndihmuar. Pa më njohur dhe pa e njohur, erdhi në Pogradec dhe më solli dy çanta të mëdha me rroba”, tha Erjona.

Me këtë kujdes dhe përkushtim, Lori e ka ndjekur Erjonën që në muajt e parë të shtatzënisë së trinjakëve, e deri më sot. Madje, ajo është bërë shkas, që familja të transferohet nga Pogradeci drejt Tiranës, për një jetë më të mirë.

“Një njeri me zemër të madhe si Lori, ka ndikuar shumë edhe tek unë. Ma ka bërë mëmësinë dhe rritjen e fëmijëve më të lehtë me ndihmat e saj”, thotë Erjona.

Përveç ndihmave në tesha e ushqim, Erjona ka nevojë për një ekip të organizuar, për t’ia dalë mbanë me trinjakët e saj.

“Trefish punë, trefish dashuri them unë. Ka qenë e vështirë që në shtatzëni, pasi doktori kur e mori vesh më tha që do të kisha një shtatzëni të rrezikshme dhe me mundim”, tha Erjona.

“Më ndihmojnë, mami, babi dhe vëllai. Jetojmë bashkë për momentin dhe kujdesemi të gjithë për fëmijët. Natën e ndajmë në dy turne me nga dy veta. Unë dhe vëllai gjysmën e saj, mami dhe babi në gjysmën tjetër. Çdo gjysmë ore natën duhet të çohësh që t’i bësh qumështin njërit”, thotë Erjona.

Dhe sigurisht që, edhe për qumështin e të vegjëlve është kujdesur për t’ua siguruar më së shumti Lori.

“Gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur ndihma për qumështin, me shishet e beberonit dhe për gjithçka. Kemi pasur kontakte me njëra-tjetrën dhe sot e kam një nga mikeshat e mia më të mira”, shprehet Erjona për Lorin.

Top Channel