Kur banka e shkollës dhe iPadi të “shtrembërojnë” kurrizin

30/04/2015 00:00

Në shtëpinë e Elisës, gjithçka ka ndryshuar. Kolltuqet janë ndërruar, lojërat në telefon apo iPad janë reduktuar, në kuzhinë është montuar një shkallë suedeze, në dhomën e gjumit është bërë një bankë enkas për të bërë detyrat.

Gjithçka nisi 4 vite më parë, kur Elisa u diagnostikua me devijim të shtyllës kurrizore, për shkak të qëndrimit të gabuar.

“Fillimisht kisha dhimbje koke, më pas s’më zinte gjumi natën dhe nuk vrapoja dot. Rrëzohesha apo lodhesha shpejt kur vrapoja”, thotë Elisa.

Mirela, tezja që kujdeset për 12-vjeçaren gjatë gjithë kohës kur prindërit janë në punë, kujton se u alarmuan shumë, kur vunë re se vajza po shtrembërohej dhe nuk ecte, apo qëndronte drejt, si fëmijët e tjerë.

“Në fillim ndodhte për shkak të çantës së shkollës, e cila kishte shumë peshë dhe ajo e hidhte vetëm nga njëri krah. Kështu lindi problemi. Pastaj, me kalimin e kohës, duke luajtur në kompjuter Elisës iu bë edhe më evident problemi i saj me shtyllën kurrizore”, thotë Mirela.

Njëra shpatull ishte më lart se tjetra, madje dhe njërën këmbë e hidhte shumë nga brenda, saqë e pengonte kur ecte. Masat duhet të fillonin menjëherë, madje që në shtëpi.

“Kemi ndryshuar edhe divanët në shtëpi, nuk i kemi luksoze si më parë, sepse Elisa, duke ndenjur gjatë gjithë kohës ulur dhe luante me iPad, ajo dëmtonte shtyllën kurrizore. Kemi bërë te një zdrukthtar edhe tavolinën për të mësuar, ndërkohë që kemi futur edhe elementë të një palestre në shtëpi. Bashkë me të, bëjmë edhe ne stërvitje”, thotë tezja e saj.

Mjekët rekomanduan një nga sportet, që e ndihmon më shumë këtë sëmundje të përmirësohet shpejt: notin.

Trajneri i Elisës, Eduart Cane tregon sesi ishte Elisa kur erdhi në fillim, dhe sesa shpejt ka përparuar.

“Në fillim kur erdhi kishte shumë probleme në dukje, por pas 6 muajsh ajo ka ndryshuar plotësisht”, thotë instruktori i notit.

Në not janë të shumtë prindërit, që i sjellin fëmijët e tyre që kanë probleme me deformime të shtyllës kurrizore, veçanërisht për shkak të qëndrimit të gabuar gjatë lojërave në celular apo kompjuter.

Elisa nuk e pëlqen shumë notin, megjithëse tashmë bën edhe gara jashtë vendit. Por padyshim, 12-vjeçarja pëlqen faktin, që tashmë s’ka asnjë nga problemet që kishte 4 vite më parë. Dhe për të arritur këtu i është dashur shumë punë.

Kujdesi vazhdon, s’ka më lojëra në celular, iPad dhe qëndrim të gabuar kur ulet në bankë, pa e ndërprerë për asnjë motiv aktivitetin fizik.

Top Channel