Fyerjet e Jankullovskës, deputetët e BDI-së heshtin në seancë

30/04/2015 00:00

Asnjë nga deputetët shqiptarë, për të cilët ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska ka përdorur ofendime të rënda, nuk ka shfrytëzuar prezencën e saj në Kuvend për të kërkuar sqarime nga ajo.

Në seancën e rregullt mujore kushtuar llogaridhënies së ministrave përpara të zgjedhurve të popullit, deputetët e BDI-së u interesuan kryesisht për situatën në transportin publik dhe i kaluan në heshtje fyerjet e Jankullovskës, për ministrat shqiptarë në qeverinë e Gruevskit, të cilët ajo i quajti si “indianë” dhe “të egër”.

“Dua të pyes ministrin Janakievski, për një vendim për përcaktimin e pagesës për shfrytëzimin e shërbimeve të stacioneve të autobusëve”, tha Ramiz Merko, deputet i BDI-së.

Nga ana tjetër, PDSH-ja opozitare akuzoi kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Maqedoni. Deputeti Orhan Ibrahimi tha se, ministrat e BDI-së në qeverinë e Gruevskit po lejojnë diskriminimin e skajshëm të shqiptarëve.

“Çfarë bëjnë dhe pse rrinë në qeveri? Pse nuk e parandalojnë Gruevskin e Gordanën, Cervenkovskin e Zaevin, që të mos i shkelin të drejtat e shqiptarëve? Dëgjuam dhe lexuam për rastin e ‘Sopotit’ dhe u shtangëm të gjithë, tani lutemi të dëgjojmë për rastin ‘Monstra’, që të shtangemi sërish. Këto dhe shumë të tjera, që na e nxijnë jetën, i ka bërë Ali Ahmeti”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Asnjë nga ministrat apo zv.ministrat shqiptarë të BDI-së nuk ishte prezent në seancë, për t’iu përgjigjur këtyre akuzave të PDSH-së.

Top Channel