Kur çantat e shkollës dhe përkulja mbi celularë të shkatërrojnë shëndetin

30/04/2015 00:00

Mjafton një vëzhgim i thjeshtë për të kuptuar, që nxënësit nuk qëndrojnë siç duhet gjatë gjithë aktivitetit ditor.

Një udhëzim i Ministrisë së Shëndetësisë për mjekët e shkollave thekson se, po rritet numri i fëmijëve nga mosha 8-18 vjeç, që ankohen për dhimbje të mesit, si pasojë e deformimeve të shtyllës kurrizore.

Jo vetëm pesha e çantave i dëmton fëmijët në shtyllën kurrizore, por edhe lojërat në celular, të cilat i mbërthejnë për orë të tëra në të njëjtin pozicion.

Pikërisht qëndrimi në një pozicion të gabuar, për një kohë të gjatë, krijon edhe problemet e deformimeve.

Mësuese Alketa Kuliçaj, si nënë e ka përjetuar një eksperiencë të tillë me djalin e saj 13-vjeçar, ndaj u tërheq vazhdimisht vëmendjen nxënësve në klasë, për të qëndruar drejt.

“Fëmijët e kanë si zakon që në karrige ku qëndrojë ulur mbajnë pas shpinës edhe çantat. Kjo ndikon në mosuljen mirë dhe drejt në karrige. U them shpesh që t’i heqin çantat nga pjesa e pasme dhe të ulen drejt e deri në fund të karriges”, thotë mësuese Alketa.

Sipas udhëzimit të Ministrisë, rreth 30 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve ankohen për dhimbje mesi dhe fare pak shkojnë te mjeku për këtë dhimbje.

Borjana Jahaj, mjekja e shkollës “Dora D’Istria” në kryeqytet, tregon se muaj më parë në të gjitha shkollat e Tiranës u bë një testim për të identifikuar problemet, që mund të kenë nxënësit në shtyllën kurrizore.

“Në këtë shkollë, konkretisht janë marrë nxënësit në kabinetin e mjekut dhe është bërë një test i thjesht, për të parë shtyllën kurrizore nëse ajo ka asimetri, probleme apo devijacione anësore. Te të dyja shkollat që unë mbuloj janë depistuar rreth 740 nxënës dhe rastet e dyshuara, në total rreth 47, janë dërguar për një vizitë më të specializuar te mjeku ortoped, shoqëruar me një grafi përkatëse”, thotë mjekja e shkollës, Borjana.

Udhëzimi i Ministrisë jep rekomandime, jo vetëm për mjekët e shkollave, që të jenë më të vëmendshëm, por edhe për prindërit. Ata s’duhet t’i lejojnë fëmijë të ushqehen në divan, të mos shohin televizor shtrirë, të mbajnë sa më pak libra në çantë, që të mos kalojnë 10 për qind të peshës së trupit dhe, nëse s’kanë çantë me rrota, të paktën ta mbajnë në të dyja krahët pas shpine.

Top Channel