Pas 3 vitesh, Komisioni Europian miraton MSA-në me Kosovën

30/04/2015 00:00

Pas 3 vitesh, Komisioni Europian përfundoi detyrën, duke miratuar me procedurë të shkurtuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, e cila pritet të sigurojë konsensusin e vendeve anëtare, në mënyrë që Këshilli i BE-së të autorizojë nënshkrimin nga Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini, siç pritet në Qershor, në rastin më të mirë.

Kjo do të varet dhe nga “humori” i 5 vendeve europiane, që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës.

Dokumentit prej 144 faqesh, i bashkëngjiten dhe protokollet përkatëse mbi tregtinë dhe procedurat e mosmarrëveshjeve, por në tërësinë e gati 580 faqeve bëhet e qartë se, marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse për Kosovën nuk merr në konsideratë statusin e saj, çfarë e bën unike, meqenëse BE njeh pavarësinë dhe sovranitetin e vendeve të tjera të Ballkanit me MSA-të respektive në fuqi, ku bën përjashtim vetëm Bosnje-Hercegovina, për të cilën kjo marrëveshje hyn në fuqi në Qershor.

Por, me këtë taktikë, marrëveshja me Kosovën përbën risi, pasi shmang edhe nënshkrimet respektive nga qeveritë e BE-së dhe ratifikimet e parlamenteve kombëtare, një proces që zgjati plot 3 vite në rastin e Shqipërisë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel