Liria e shtypit, “Freedom House”: Kosova, përkeqësim me dy vende

30/04/2015 00:00

“Freedom House” rendit Kosovën në vendin e 100-të për sa i përket lirisë së shprehjes, dy vende më poshtë sesa një vit më parë.

Një hulumtim i UNDP-së rezulton me faktin se, qytetarët nuk besojnë që në Kosovë ka liri të fjalës. Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se, gazetarët kosovarë punojnë në një ambient të vështirë, ku krahas problemeve me lirinë e punës, përballen edhe me mungesën e kushteve, siç janë kontratat dhe pagat e ulëta.

Këto konstatime u bënë në një tryezë debati, në prag të Ditës botërore të Lirisë së Shtypit.

“Freedom House e publikoi tashmë raportin më të ri për sa i përket lirisë së mediave në tërë botën. Kosova ka rënë me dy vende më poshtë, nga çka qenë një vit më parë, prej vendit të 98 në vendin e 100-të. Nuk është për t’u habitur jo vetëm në Evropë, por në tërë botën, që vendet me lirinë më të lartë të të shprehurit janë vendet skandinave, me Norvegjinë dhe Suedinë në krye të listës”, tha Alessandra Roccasalvo, zëvendëspërfaqësuese e përhershme e UNDP-së.

“Kosova, edhe pas 16 viteve vazhdon të përballet pothuajse me telashe të mëdha; të mos ketë zbatueshmëri të ligjit dhe vazhdon të ketë një numër të madh të kërcënimeve, rrahjeve të gazetarëve dhe pengesa të tjera, që u bëhen atyre në Kosovë. Edhe në raport është paraqitur, që Kosova ende vazhdon të mbetet një vend pjesërisht i lirë në të gjitha aspektet, jo vetëm në aspektin e të bërit gazetari”, tha Zekirja Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe gazetarë të komunitetit serb, në kuadër të organizatës së tyre. Budimir Niciç, përtej problemeve për lirinë e shprehjes përmendi edhe ndarjen e thellë mes medieve shqiptare dhe atyre serbe.

Top Channel