Shpërthim në depon e armëve, vdesin 25 militantë të ISIS

30/04/2015 00:00

Një depo armësh ka shpërthyer në Dier Ezzor, provincë në Siri, duke vrarë rreth 25 militantë, ndërkohë që ende nuk dihet nëse shpërthimi ishte aksidental apo manovër e forcave anti-ISIS.

Shpërthimi në këtë depo është shoqëruar edhe me disa shpërthime të tjera të vogla, por nuk është raportuar për të tjerë të vdekur.

Pjesa më e madhe e provincës së Dier Ezzor, që gjendet në lindje të Sirisë, ndodhet nën kontrollin e ISIS duke qenë edhe cak i sulmeve të ndryshme.

Në fundjavë një avion luftarak i forcave siriane është rrëzuar pranë aeroportit kryesor ushtarak në jug të Sirisë, bëri të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, ndërsa dhjetë ditë më herët u raportuan se udhëheqësi i ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi është plagosur rëndë pas një sulmi ajror në Irakun Perëndimor.

Ndërkohë, besohet se me anë të së quajturës “Enciklopedia e ISIS”, terroristët po i forcojnë strukturat e tyre të fjetura në Perëndim, duke i specializuar ata gjithnjë e më shumë që të mos diktohen nga autoritetet përkatëse.

Lufta civile që ka filluar katër vite më parë në Siri deri më tani ka marrë jetën e 200 mijë sirianëve si dhe ka detyruar rreth 11 milionë të tjerë që të lëshojnë shtëpitë e tyre.

Top Channel