Lufta ndaj krimit të organizuar, BE-ja e kërcënuar nga Rusia e Kina

30/04/2015 00:00

Lufta kundër krimit të organizuar duket të jetë sfida e radhës për Bashkimin Europian. Sikurse e tregojnë evidencat e fundit, ka një rritje të qartë të infiltrimit kriminal në ekonominë e ligjshme të unionit, por çfarë po bëhet për të luftuar bandat dhe të ardhurat që ata gjenerojnë?

Heroina, kokaina dhe kanabisi e kanë kthyer trafikun e drogës në të parin aktivitet të paligjshëm, sfidë për Bashkimin Europian, që ndiqet më pas nga aktivitete të tjera, sikurse trafikimi i qenieve njerëzore.

Por, pas nuk ngelen as mashtrimi për tatimin mbi të ardhurat, apo kontrabandat e armëve dhe duhanit, të cilat po ashtu sigurojnë miliarda euro. Ndaj, për të pastruar paratë e pista, bandat kriminale i kthejnë ato në ekonominë e ligjshme, ku shënjestrat e tyre të fundit janë sektorët e energjisë së rinovueshme dhe ai i menaxhimit të mbeturinave.

Kufijtë e hapur të Evropës u kanë mundësuar kriminelëve të qarkullojnë këto para lirshëm. Gjithashtu mospërputhjet e ligjeve penale në vendet e unionit, si dhe natyra gjithnjë e më e fragmentuar e grupeve kriminale nxjerrin edhe më shumë vështirësi për autoritetet, në luftën kundër krimit të organizuar.

Shefi ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Krimin Ndërkombëtar, Ernesto Savona shpjegon se Italia mund të ketë qenë dikur porta që priste trafikantët, por në tregun e sotëm global rrezikshmëria vjen nga Rusia e Kina, por jo vetëm. Savona pretendon se Europa mund të bëjë shumë më tepër në konfiskimin e këtyre pasurive, apo në hartimin e një liste të zezë, por ndoshta kjo nuk është në interesin e unionit.

Top Channel