Festë madhështore për KB Prishtinën

30/04/2015 00:00

Mijëra qytetarë të Prishtinës janë mbledhur mbrëmjen e së enjtes për të pritur basketbollistët kryeqytetas, të cilët një natë më herët hynë në historinë e sportit kosovar duke sjellë trofeun e parë ndërkombëtar në sportet grupore, si më të mirët e Ballkanit.

Finalja mes KB Prishtinës dhe Rilskit të Bullgarisë ka bërë realitet ëndrrën e bardhebluve, vetëm 1 vit pas të drejtës për pjesëmarrje në Ligën e Ballkanit.
 
Momenti kulminant i festës, padyshim ishte ngritja e kupës nga kapiteni Edmond Azemi.

Të emocionuar si asnjëherë më parë ishin edhe ata që bënë këtë ëndërr realitet.

Për të nderuar festën e madhe sportive të Prishtinës, para mijëra tifozëve, performuan artistë të njohur si Jeton Gjakova, Vesa Luma e të tjerë.

Festa në kryeqytet ka vazhduar me këngë dedikuar Prishtinës e fishekzjarre të shumta.

Top Channel