Veliaj jep dorëheqjen nga qeveria, nis fushatën për Tiranën

30/04/2015 00:00

Erion Veliaj nuk është më minister i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Pasditen e së enjtes ai i paraqiti dorëheqjen kryeministrit Rama.

Në një takim lamtumire me bashkëpunëtorët dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar, Veliaj i ka falenderuar të gjithë dhe ka zgjedhur që secilit prej tyre t’i bëjë nga një premtim në rast se do zgjidhet kryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Në Bashkinë e Tiranës do të kemi këtë korrektesë dhe do të mbledhim Këshillin Bashkiak, apo çdo vendimmarrës tjetër që të sigurohemi që asnjë nevojtar i bashkisë sonë të madhe të mos kalojë muajin sepse një burokrat për interesin e tij mbajti peng ndihmën ekonomike apo banesat sociale, apo pallatet sociale. Premtoj që ky do të jetë një qytet i aksesueshëm, por është e tmerrshme që në Tiranë ne nuk kemi trotuarë të aksesueshëm. Nuk kemi semafor për njerëzit që nuk shikojnë, që të ketë një sinjal zanor, si çdo qytet modern për njerëzit që duhet të kenë këto lehtësi. Tirana nuk mund të jetë një qytet ku bashkia nuk ofron asnjë hapësirë për pensionistët. Të sigurohemi që të kemi një pikë të re pensionesh në Kinostudio, një pikë të re në Kombinat dhe të sigurohemi që të njëjtat ambiente moderne siç ka agjencia qendrore, Bashkia e Tiranës duhet t’i ofrojë falas. Të kemi një qytet që, nuk them se do të zhduket varfëria, por të sigurohemi që askush nuk do detyrohet që të lypë për bukën e gojës sepse ky është një qytet bujar, dashamirës dhe solidar”- deklaroi kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj.

Në fund, duke iu drejtuar zv.kryeministrit Niko Peleshi, Erion Veliaj është shprehur se ai është shembulli që ai kërkon të ndjekë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Top Channel