PD: Tirana s’ka nevojë për rilindjen

30/04/2015 00:00

Partia Demokratike sulmoi kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj pas deklaratës së këtij të fundit menjëherë pas njoftimit të dorëheqjes prej postit të ministrist, se qytetarët e kryeqytetit meritojnë pjesën e tyre të Rilindjes.

Në një njoftim për mediat, demokratët akuzuan Veliajn se pasi gënjeu gjithë shqiptarët në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, tashmë kërkon të gënjejë edhe qytetarët e Tiranës.

Në bilancin e punës së tij kandidati për Bashkinë e Tiranës Veliaj, tha se edhe Tirana meriton pjesën e vetë të Rilindjes.

Pasi guxoi të tallej një javë më parë me qytetarët shqiptarë duke u treguar se jashtë shtetit jetohet më mirë, sot guxon të tallet edhe me qytetarët e Tiranës duke u thënë se ata meritojnë një pjesë të Rilindjes.

“Cilën pjesë të Rilindjes meritojnë qytetarët e Tiranës? Atë që nuk i hapi 300 mijë vende pune siç premtoi ministri, apo atë që rriti papunësinë në 18 përqind në vetëm 2 vjet, ku 34 përqind prej tyre janë të rinj shqiptarë? Atë që largon bizneset e huaja nga Shqipëria, apo atë që u rrit çmimin e dritave, naftës dhe ushqimeve qytetarëve shqiptarë?”- thuhet në deklaratën e PD.

Sipas demokratëve “Tirana nuk ka nevojë as për ministrin e rilindjes, që bilancin më pozitiv në 2 vjet ka vetëm fotot që nxjerr në Facebook dhe propagandën e reklamave në media, gjë që në fund të ditës nuk u jep as bukë, as punë, as dinjitet, qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”.

Top Channel