Ekspozita “Drejt lirisë”

30/04/2015 00:00

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit është çelur në Bibliotekën Kombëtare ekspozita “Drejt lirisë”.

Kjo ekspozitë vjen si refleksion mbi parimet themelore të lirisë së shtypit, mbi rrugëtimin e shtypit shqiptar në rrugën drejt lirisë, siç e quajti drejtuesja e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, pasi ka ende shumë për të bërë për të mbërritur te liria e plotë e shtypit.

“Flasim për një rrugëtim sepse nuk mund të themi që kemi mbërritur në një moment absolut të lirisë së shtypit. Është një kërkim i vazhdueshëm që do të na shoqërojë gjithmonë”, tha Asllani.

“Drejt lirisë” u kushtohet zhvillimeve dramatike, që nga lindja e vetëdijes etike të shtypit dhe deri tek përpjekja për modernizim në vitet ’30, por edhe gjatë luftës, diktaturës e deri te dritëhijet që shoqëruan tranzicionin post-komunist.

Ajo vjen si bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe përkujdesin e profesor Mark Markut, i cili tha se kjo ekspozitë është një pasqyrë e shtypit shqiptar drejt lirisë së vet, pasi një shtyp i lirë do të thotë demokraci reale.

“Bashkë me punonjësit e Bibliotekës Kombëtare, jemi munduar që në këtë ekspozitë të konceptojmë një histori vizive të përpjekjeve të mediave shqiptare për të shkuar drejt lirisë. Në thelb, kemi menduar që çdo akt i formimit të një organi shtypi është një akt lirie në vetvete”, deklaroi Marku.

Ekspozita u pasua edhe nga një konferencë shkencore, ku referuan lidhur me problematikat e lirisë së shtypit sot, personalitete të fushës së letrave dhe gazetarisë.

Top Channel