Taulant Balla në “Top Show”: Një ambasadë na kërkoi të heqim nga listat dy kandidatë

01/05/2015 00:00

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë nisur betejën për dekriminalizimin e kandidatëve në zgjedhjet e 21 qershorit. A janë problematike listat? Cili është roli i ambasadës së SHBA-së në këtë debat? A do të hiqen nga listat për kryetar bashkie kandidatët me të shkuar kriminale?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, por edhe për të diskutuar më gjerë për dekriminalizimin, ishin përballë njëri-tjetrit në “Top Show”, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla dhe deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri. Gjithashtu të ftuar në emisionin e drejtuar nga Alban Dudushin ishin edhe analistët Arjan Vasjari, Mentor Nazarko, Skënder Minxhozi, si dhe kryeredaktori i gazetës “Mapo”, Arion Sulo.

I pyetur se pse mazhoranca nuk e miratoi amendamentin ashtu siç e kërkoi PD-ja, Taulant Balla tha se të dyja palët kanë punuar në të njëjtat linja, në drafte dhe materiale të ngjashme dhe u arrit në të njëjtat pika.

“Unë besoj se drafti fundor për të cilin konkluduam dhe nëse do ta kishim miratuar sot, unë do të thosha që Shqipëria do të kishte rregullimet më të forta, të paktën në Europë, sa i përket kandidimit për këto zgjedhje.

Zoti Balla tha se mazhoranca ndërhyri duke shtuar nene të tjera që lidhen me vepra penale të korrupsionit.

“Kemi konkluaduar së bashku me zotin Bylykbashi edhe në kujdesin e ndërkombëtareve për ta arritur në një draft. Ne shtuam edhe nene të tjera që lidhen me vepra penale të korrupsionit, me shpërdorimin e detyrës, përvetësimin e pronës së tjetrit, me mashtrimin. Kush bën korrupsion është po aq kriminel sa edhe një person që ka bërë një krim tjetër dhe ai duhet të ndëshkohet njësoj. Kjo ishte një ndër ndërhyrjet tona. Unë shpresoj që PD-ja nuk ka qenë kundër faktit që ne përfshimë edhe korrupsionin”.

Deputeti i Partisë Socialiste tha se çdo hap që është bërë për këtë çështje bie ndesh me Kushtetutën, por ai shtoi se kur ka vullnet politik kjo mund të realizohet.

Ndërkohë zoti Strazimiri u pyet se pse u konsiderua si farsë zgjerimi me propozimet e mazhorancës dhe pse nuk u votua. Ai tha se kjo është çështje e vullneti politik dhe jo çështje ligjore. “Nëse politika do t’i hapë dyert krimin e bën këtë. Kjo nuk zgjidhet as nga ligji dhe as nga habia”.

“Ne kemi dy vite që kemi thënë se kemi kriminel në Parlament dhe në fakt paskemi pasur të drejtë. Këta vetë votuan dhe dy prej tyre sot janë në burg. Sot bëjmë të habiturin se paskemi kriminel në Parlament, madje paska nevojë që kapriços së parë të opozitës ti bëjmë edhe komisionin e dekriminalizimit pasi na e kërkoi Europa. Tani na del nevoja që jo vetëm duhet parë ky drafti, por kemi edhe ne propozimet tona. Kontingjenti është i rekrutuar me kujdes. Janë gjetur persona me rekorde kriminale. Këta janë zgjedhur për të shkatërruar debatin parlamentar dhe të ndikojnë në elektorat”.

Analisti Mentor Nazarko tha se ligji është antikushtetues, si me përmbajtje më të ashpër, por edhe me atë që ka aktualisht.

“Shqiptarëve duhet t’i sqarojmë që kjo përpjekje e sotme e të dyja palëve nuk ka lidhje me dekriminalizimin e institucioneve ekzistuese, edhe të Parlamentit. Ky është një ligj, i cili lidhet vetëm me zgjedhjet lokale. Me përmbajtjen që propozoi qeveria dhe me elementë të tjerë, ky ligj është antikushtetues. Sipas nenit 45, çdo kush që ka mbushur 18 vjeç mund të zgjidhet dhe të zgjedhë. Në këto kushte ky ligj është kundër Kushtetutës”.    

Edhe kryeredaktori i gazetës “Mapo”, Arion Sulo, u shpreh se e gjitha kjo është një çështje e vullnetit politik.

“Nuk mund të themi se kush pati të drejtë në mosmiratimin në Parlament të projektligjit. Ligji vjen sot, ndërsa në datën 4 është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve. Kandidatët me probleme nga të dyja krahët u zyrtarizuan. Palët përshpejtuan procesin dhe e bënë këtë pasi ambasadori amerikan tha se ka kandidatë me histori të mundshme kriminale”.

Arjan Vasjari tha se dyshimet se virusi i dekriminalizimit do të prekte edhe zgjedhjet lokale ishin ngritur më herët dhe sipas tij, kjo reflekton krizën dramatike të humbjes së legjitimitetit të politikës në tërësinë e saj. Ai tha gjithashtu se palët politike përpiqen ose ta barazojnë ose ta transferojnë këtë çështje të kundërshtari.

Si elementin më të rëndësishëm të ligjit, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS, Balla, vlerësoi formularin e vetëdeklarimit.

“Për herë të parë në këtë vend, një kandidat për një pozicion publik do të deklaronte të gjitha problemet e veta dhe nëse gënjente do të akuzohej për deklarim të rremë. Kjo ishte fitore nëse do ta bënim sot dhe ishim në kohë. Deri sot koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” nuk ka depozituar asnjë kandidat me idenë se mund të arrinim një konsensus”.

Skënder Minxhozi i cilësoi përpjekjet e fundit të të dyja palëve si një ritual për t’u bërë para zgjedhjeve dhe për të palët janë shumë larg njëra-tjetrës.

“Unë mendoj se e gjitha kjo ka qenë një ritual për t’u bërë para zgjedhjeve. Për këtë unë jam i sigurt. Kur të gjithë i thoshin njëri-tjetrit kriminel, është afër mendsh që këta të binin dakord dhe do të qetësohej situata duke nxjerrë një ligj dhe të gjithë kriminelët do të hiqeshin nga politika”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Strazimirit, i cili tha se e gjitha kjo nuk është për fushatë dhe betaja e nisur do të çohet deri në fund.

Taulant Balla deklaroi se mazhorancës i është kërkuar nga një ambasadë e fuqishme që dy kandidatë të mos kandidojnë për ‘gabime në deklarimin e pasurisë’.

“Kemi pasur një komunikim me një ambasadë që ka informacion për shkak të kapaciteteve të saja të mbledhjes së informacionit. Na është kërkuar për dy kandidatë në fillim dhe të dy ata nuk janë kandiduar. Këto dy raste kanë të bëjnë me deklarim pasurie. Ndërkohë është kërkuar informacion edhe për një person tjetër, dhe unë kam qenë personi që i kam dhënë shpjegimin përkatës se ai nuk është i dënuar dhe nuk ka pasur lidhje me çështje të tjera”.

Top Channel