Nepal, rreth 6.200 viktima; qytete të tëra të shkatërruara

01/05/2015 00:00

Në qytetet dhe fshatrat pranë epiqendrës së termetit 7,8 ballësh të një jave më parë në Nepal, shkatërrimi është thuajse total.

Punonjësit e Kryqit të Kuq ndërkombëtar i kanë parë nga afër zonat e prekura, ku, siç thonë ata, dëmet materiale janë të jashtëzakonshme, ndërsa të mbijetuarit po përjetojnë “një situatë të dëshpëruar”.

Rreth 6.200 është deri tani bilanci i jetëve të humbura nga pohimet e vetë zyrtarëve nepalezë. Të plagosurit llogariten në gati 14.000.

Por fati i mijëra vetëve në rajonet e thella të vendit nuk dihet ende, çka e shtyn qeverinë të mos përjashtojë mundësinë e një rritjeje të numrit të vdekjeve në mbi 10.000 vetë.

Ekipet vendase të shpëtimit dhe ekspertë ndërkombëtarë po punojnë pa rreshtur në kryeqytetin Katmandu dhe rrethinat e tij, por përpjekjet për të mbërritur në zonat e izoluara janë vështirësuar së tepërmi nga rrëëshqitjet e dheut dhe kushtet e vështira atmosferike.

Të paktën 20 helikopterë me ndihma janë ulur deri tani në disa rajone të largëta, por megjithatë ka mungesë të këtyre mjeteve. Ndonëse Kina ka njoftuar se do të dërgojë helikopterë, Nepali kërkoi edhe asistencën e vendeve të tjera.

Nevojat e momentit dhe ushqimeve janë më të mëdha, por problemi mund të jetë edhe më i thellë se kaq. Prej tërmetit janë dëmtuar mes të tjerash edhe rezervat e farave që duhet të përdoreshin për mbjelljen e orizit në mesin e muajit maj, e po kështu janë rrafshuar me tokën edhe depozitat që mbanin drithërat në kushte të thata.

Sipas OKB-së, nesër fermerët nepalezë nuk do të arrijnë të realizojnë mbjelljet e sezonit dhe deri në 2016-n ata nuk do të jenë në gjendje të kultivojnë orizin, ushqimin bazë të banorëve të Nepalit.

Tërmeti i së shtunës, më i fuqishmi që ka goditur vendin e varfër në më shumë se 80 vjet, ndodhi në hapësirën ku takohet pllaka tektonike indiane me atë euro-aziatike.

Fakti që pllakat janë vazhdimisht në lëvizje drejt njëra-tjetrës i shtyn ekspertët të paralajmërojnë se rajoni do të përjetojë më shumë tronditje sizmike, edhe pse sqarojnë për çdo rast se periudha mes tërmeteve ndonjëherë mund të zgjasë edhe me dekada të tëra.

Top Channel