Usain Bolt, protagonist i një filmi dokumentar

01/05/2015 00:00

Usain Bolt do të jetë së shpejti protagonist i një filmi dokumentar që do t’i kushtohet jetës së tij.

Xhirimet që do të nisin gjatë këtij muaji do të drejtohen nga regjisorët Gabe dhe Ben Turner. Këta të fundit më parë kishin xhiruar filmin ‘The Class of 92′, dedikuar skuadrës së Manchester Uunited të atyreve viteve, si dhe ‘One direction: This is us’.
 
“Kur u takova me Gabe dhe Ben e kur mësova për punët e tyre të mëparshme, e kuptova menjëherë që ata ishin personat e duhur për të kapur thelbin e historisë dhe për të treguar karrierën time”, ka thënë Bolt, i emocionuar nga projekti.
 
Filmi, për të cilin ende nuk është zgjedhur një titull, do të realizohet nga kompania londineze ‘Turner’ dhe xhirimet do të nisin në Xhamajkë. Filmi do të tregojë në mënyrë të veçantë udhëtimin që do të bëjë Bolt drejt Lojërave Olimpike të vitit 2016.
 
“Unë dhe Ben donim të përqendroheshim në historinë e një sportisti që merr pjesë në gara individuale, e për këtë arsye, kur na u dha mundësia për të punuar me atletin më të mirë të të gjitha kohërave, Usain Bolt, nuk e lamë të na shpëtonte nga duart. Mezi po presim ta nisim këtë aventurë të re dhe të ndjekim hap pas hapi këtë kampion gjatë udhëtimit të tij drejt Lojërave Olimpike të Rio De Zhaneiros”, ka treguar Gabe Turner.
 

Top Channel