Baltimore, “xhiroja e egër” që i mori jetën Freddie Gray

01/05/2015 00:00

Në Baltimore e quajnë “xhiro e egër”. Në Filadelfia kanë një tjetër emër për të, “xhiro nikeli”, një referencë për parqet e dikurshme të argëtimit ku të merrje një makinë lojërash kushtonte 5 cent.

Në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara e njohin me emra të tjerë. Pavarësisht përcaktimit, në thelb është e njëjta gjë: është termi i përdorur në rastin e një praktike të errët të policisë amerikane kur të dyshuarit e ulur me duart me pranga apo të shtrirë me fytyrën nga toka në pjesën e pasme të furgonit të policisë i nënshtrohen një trajtimi special deri në komisariat.

Efektivi në timon i jep mjetit fort dhe keq, duke e kaluar qëllimisht me egërsi nëpër çdo pjesë të deformuar të rrugës e duke manovruar në mënyrë të tillë që prapa të ketë goditje sa më të forta, të cilat mund të dëmtojnë po aq shumë sa edhe një shkop gome.

Vetëm se në këtë rast, agjentët nuk kanë nevojë ta prekin shkopin me dorë dhe nuk rezulton të kenë goditur të ndaluarin. Kjo duket se ndodhi dhe me Freddie Gray.

Arsyeja e saktë e dëmtimit të rëndë të tij në shtyllën kurrizore nuk është zbardhur ende, por hetimi vazhdon duke mos përjashtuar tashmë edhe praktikën brutale të ngarjes së dhunshme të makinës, e cila fajësohet për disa dëmtime serioze dhe në mbarë vendin ka çuar edhe në marrëveshje miliona dollarëshe dëmshpërblimi.

Rituali dhjetëravjeçar shihet si teknikë e oficerëve agresivë për ndëshkimin e të arrestuarve pa i prekur ata me dorë, çka mund t’i bënte të përballeshin me akuzat e dhunës fizike.

Një të dyshuari me duart e lidhura pas shpine e të ulur në stolin e hollë të furgonit të policisë, një ndalesë e menjëhershme apo kthesa të befasishme nëpër rrugë me gropa mund t’i shkaktojë dëmtime të rënda deri në atë masë sa ta lërë për gjithë jetën në një karroce invalidësh apo edhe ta shpërfytyrojë.

Juristë dhe ekspertë të policisë thonë se është e pamundur të vlerësohet saktësisht sa e përhapur është kjo praktikë në të gjithë vendin. Megjithatë, me kalimin e viteve, akuza të shumta kanë dalë në sipërfaqe, si në qytete të vogla, ashtu dhe në ato të mëdha.

Top Channel