Rama në Panairin e Punës: Veliaj do të rikthejë punësimin në Tiranë

01/05/2015 00:00

Në ditën e fundit të Panairit të Punës, dhe të parën që Erion Veliaj ka hequr xhaketën e ministrit, Kryeministri Edi Rama ka vizituar këtë eveniment duke i dhënë edhe një tjetër cilësi kandidatit të së majtës për Tiranën.

“Është zbuluar punëtori më i mirë i këtij qyteti dhe si punëtori më i mirë i këtij qyteti, ai nuk është më sot ministër i Mirëqenies Sociale, por është kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, në mënyrë që duke vënë në krye të Bashkisë së Tiranë një kryepunëtor, Tirana të rikthehet në drejtimin e duhur” – tha Rama.

Sipas tij, nën drejtimin e Veliajt, qasja e qeverisë ndaj punësimit dhe mirëqënies sociale ndryshoi në mënyrë radikale.

“Kjo qasje u fut në drejtimin e duhur dhe tani ne jemi në gjendje të shkojmë përtej kësaj. Në këtë panair janë 800 persona që kanë siguruar një vend dhe do të fillojnë punë. Ndërkohë që kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair kanë në dispozicion 5800 vende pune”, ka thënë Rama.

Duke iu përgjigjur kritikave të bëra në adresë të qeverisë, kryeministri ka nënvizuar se papunësia, sidomos ajo e të rinjve, është një problem në të gjithë rajonin, por Shqipëria, sipas tij, “po merr kthesën”.

“Vendi po merr drejtimin e duhur, edhe pse ka ende shumë e shumë punë për të bërë. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se rezultatet e reformave nuk vijnë menjëherë, por vijnë gradualisht”, ka thënë Rama.

Top Channel