Deputeti Shehu: U zhgënjeva nga Mediu, ja pse ika tek LSI-ja

01/05/2015 00:00

Deputeti Ylli Shehu, i cili i është bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim pas largimit nga Partia Republikane, ka deklaruar këtë të premte arsyet e largimit të tij nga republikanët.

Përmes një deklarate për mediat, deputeti Shehu shprehet i zhgënjyer nga kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i cili sipas tij, nuk e mbajti dot premtimin për të kandiduar Agron Dukën në Durrës.
 
“Dua të sqaroj qartë edhe një herë, se nuk kam ikur, por kam bërë një zgjedhje, e cila ka qenë thellësisht e motivuar dhe parimore, pasi për fat të keq z. Mediu i iku në mënyrë krejtësisht jo transparente premtimit publik të bërë në strukturat drejtuese të PR-së, që nëse PD nuk do t’i qëndronte angazhimit për të kandiduar z. Agron Duka për kryetar të Bashkisë së Durrësit, atëherë PR, për të vënë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur do dilte më vete dhe do të kandidonte me kandidatët e saj në të 61 bashkitë e vendit”, shkruan deputeti Shehu në deklaratën e tij.
 
Largimin e Shehut, i pari në listën e Partisë Republikane për Tiranën në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 e pohoi dje edhe nga kryetari i republikanëve, Mediu.

Top Channel