Kosovë, policia arreston e më pas lë të lirë sekretarin e Vetëvendosjes

01/05/2015 00:00

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliçaj është liruar vetëm në orët e mbrëmjes së të premtes nga Policia e Kosovës. Lirimi i tij është konfirmuar nga subjekti politik të cilin përfaqëson.

Në njoftimin e Vetëvendosjes, është njoftuar se vetëm pak pas lirimit të tij, Dardan Molliçaj do të sqarojë detaje rreth arrestit në një prej televizioneve kosovare. Molliçaj u arrestua sot në mëngjes, në Aeroportin e Prishtinës.

Policia e Kosovës njoftoi arrestimin e tij, por pa dhënë detaje, të cilat i ofroi lëvizja Vetëvendosje. Ajo bëri të ditur se Molliçaj është arrestuar të premten, rreth orës 9 e 20 në Aeroportin e Prishtinës, teksa po udhëtonte për në Zvicër.

Mësohet se arrestimi i Molliçajt në aeroport ka ndodhur pasi, ndaj tij ka pasur një fletë-arrest për shkak të ngjarjeve në protestat e muajit Janar, të organizuara nga partia ku ai aderon.

Kjo lëvizje, përmes një reagimi ka bërë përgjegjëse qeverinë e Kosovës për këtë arrestim, ndërsa kërkoi gjatë ditës lirimin e menjëhershëm të anëtarit të saj.

Top Channel