“Spring” në Lazarat, pranga 5 personave për sulmin ndaj policisë në qershor 2014

01/05/2015 00:00

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të mbështetura nga policia e Gjirokastrës, kanë prangosur të premten 5 persona në Lazarat, për ngjarjet e ndodhura në qershor 2014, kur policia ndërmori një operacion të gjerë antidrogë në këtë zonë.

Në përfundim të aksionit të koduar me emrin “Spring”, u arrestuan Gentjan Kazma, Ramadan Basha, Arjan Basha, Gurgaz Skënderi dhe Myrteza Shemsho, të gjithë banorë të Lazaratit.
 
Ata u kapën në fshatin Lazarat dhe u ndaluan, pasi ndaj tyre gjykata ka vendosur arrest me burg për vepra të rënda penale: grup i strukturuar kriminal, vrasje e punonjësve të policisë, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve, si dhe prodhim, kultivim dhe shitje të narkotikëve.
 
Arrestimi i 5 personave dhe akuzat ndaj tyre konfirmohen zyrtarisht nga Policia e Shtetit, sipas së cilës, ata janë të përfshirë në sulmin me armë ndaj efektivëve të saj, gjatë operacionit antikanabis, në qershor të vitit të kaluar, në Lazarat.

Top Channel