Kryeministri grek Aleksis Tsipras u ka bërë të qartë partnerëve se qeveria e tij kërkon më shumë se kurrë të mbyllë sa më shpejt negociatat me ta.

“Jemi më pranë se kurrë një marrëveshjeje që ndodhet pranë vijave të kuqe te mandatit që na ka dhënë populli grek”, ka thënë Tsipras.

Por, sipas analistëve, ai ka hedhur asin e fundit në “tryezën e pokerit” që po luan Greqia, duke kërkuar nga një mbledhje urgjente e kabinetit që ka zgjatur mbi katër orë, një garanci zyrtare nga partnerët për financimin e Greqisë deri në qershor dhe vetëm pas kësaj, qeveria e tij do të çojë masat dhe reformat për t’u votuar në Parlament.

“Jemi shumë prane, shumë pranë sepse askush nuk dëshiron një dështim të negociatave. Dështimi do të jetë një humbje për të dyja palët, ndërsa në të kundërtë, një marrëveshje e përbashkët e dobishme dhe një kompromis do të ishte një situatë fitimprurëse për ne dhe partnerët”, deklaroi Georgos Katrougalos, ministër i Reformës Administrative për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Athina thuhet se është tashmë e gatshme për të shitur pjesën tjetër të aksioneve të dy porteve kryesore të vendit, të rrisë TVSH-në në disa ishuj turistikë dhe të privatizojë 7 nga 14 aeroportet e saj që janë ende shtetërorë.

Një sondazh i orëve të fundit tregoi se 75% e grekëve kërkon të arrihet sa më shpejt marrëveshja me huadhënësit, ndërkohë që nga ana tjetër tregon se është rritur edhe diferenca e Radikalëve të Majtë nga konservatorët nga 10 në 14%.

Kjo për arsyen se qeveria nuk bie dakord për reduktimet e pagave, pensioneve dhe marrëdhënieve të punësimit, të cilat kërkojnë me ngulm kreditorët.

“Shpresojmë se përfundimi i negociatave do të normalizojë gjendjen dhe të na japë mundësinë për të folur në lidhje me periudhën pas qershorit, periudha e rimëkëmbjes kur ne do të jemi në gjendje të kthehemi përsëri në tregje”, deklaroi ministri i Financave, Yanis Varoufakis.

Orët e fundit qarqet politike në vend u tronditën nga deklarata e kreut të Eurogrupit, Jeroon Dijsselbloem para deputetëve të Parlamentit Holandez se Holanda dhe BE janë të përgatitura për një plan B, ose të ashtuquajturin “Grexit”.

Në të njëjtën gjatësi vale ka qenë edhe deklarata e përfaqësuesit të FMN, Xheri Rais që ka theksuar se, “nuk presim një dalje të Greqisë nga Eurozona, por tek të gjitha programet në të cilat implikohemi, analizojmë çdo lloj skenari”.

Mediat më në zë si FT dhe Bloomberg vlerësojnë se tronditjes që ka shkaktuar Greqia dhe mundësia e saj për të dalë nga zona e euros po i vjen fundi me një katarsis në dramën e saj.

Top Channel