Veliaj nis turin e dëgjesave, qytetarët: Problem transporti dhe mjedisi

01/05/2015 00:00

Kandidati i mazhorancës për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nisur turin e dëgjesave me qytetarët.

“Kjo është dëgjesa ime e parë. Dëgjova që është hapur një vend në Bashkinë e Tiranës, që ka qenë pa kryetar në 4 vitet e fundit. Dhe besova se për ata që kanë dëshirë për të punuar, në një qytet me kaq shumë kantiere, ky ishte vendimi i duhur. Nuk e di a jeni ju dakord, por unë kam vendosur të kandidoj për Bashkinë e Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Në prani të qytetarëve të ndryshëm, ai ka dëgjuar se cilat janë problemet kryesore në transport, por edhe në pastrimin e mjedisit, më të cilat përballen sot banorët e kryeqytetit.

“Unaza dhe shumë linja të tjera kanë pasur korsi në shërbim të qytetarit për të vajtur në punë, në shkollë, etj. S’kaloi as 6 muaj, ajo korsi u zhduk dhe trafiku sot është i pakontrolluar”, u ankua një banor.

“Në një qytet ku kryetari i bashkisë, për 4 vite me radhë e parkon makinën e vet në trotuar, shembulli që i jep qytetit është që, kur unë jam kaq arrogant dhe me këtë tangërllik të papreçedent, në mes të sheshit Skëndërbej parkoj makinën time në trotuar… sigurisht që nuk pyet njeri për një shofer autobusi”, u përgjigj Veliaj.

Veliaj tha se Tirana ka nevojë për një rikonceptim të transportit dhe jo vetëm.

“Unë jam dakord, gjithë ditën me doktor Halimin kur thotë se çerdhet janë në kushte skandaloze. Por a nuk i menaxhon kjo bashki çerdhet, apo terrenet sportive? A nuk ishte Luli i doktor Halimit? Unë me doktor Halimin nuk bie dakord për faktin se nuk besoj se ekipi që e shkatërroi Tiranën mund të jetë ekipi që do ta rregullojë”, tha Veliaj.

Ai do të zhvillojë disa dëgjesa me qytetarët në mënyrë që kërkesat e tyre t’i përfshijë në programin e tij.

Top Channel