Manastiri i Zvërnecit, i izoluar. Ura është dëmtuar nga përmbytjet

01/05/2015 00:00

Prej dy muajsh, Manastiri i Zvërnecit është i izoluar dhe i pavizitueshëm për shkak të prishjes së urës, e cila është shkatërruar që nga përmbytjet e muajit shkurt dhe daljes nga shtrati të lumit Vjosë.

Në një segment prej 20 metrash, ura e drunjtë është shembur dhe asnjë turist nuk mund të vizitojë manastirin dhe kishën e Shën Mërisë në ishull.

Aty ndodhet edhe varri i Marigo Posios, një vend pelegrinazhi për ata që duan të nderojnë gruan që qëndisi flamurin e shpalljes se pavarësisë.

“Presim nga java tjetër përfundimet e projekteve. Duhet gjetur një zgjidhje përfundimtare për këtë urë. Tani fillon edhe sezoni turistik. Kemi marrë masat deri diku, me ndihmën e djemve të fshatit, të cilët me varkat e tyre, kanë kaluar njerëzit që kanë dashur të vizitojnë manastirin”, thotë Jani Tereziou.

Klerikët që janë në manastir dhe kishë lëvizin vetëm me anë të varkave. Ura që lidh tokën me ishullin është një vepër e vitit 1996 e që prej këtij viti manastiri ka qenë i frekuentuar për kampingje verore të të rinjve, ndërsa numri i vizitorëve arrin nga 1500-2000 vetëm në kremtimin e festës tradicionale të Shën Mërisë, më 15 gusht.

Top Channel