Berat, zjarri për pastrimin e plehrave pushton kodrën

01/05/2015 00:00

Pastrimi i plehrave herë pas here në Berat bëhet me anë të zjarrvënies, ndërkohë që nuk kanë munguar rastet kur flakët kanë dalë jashtë kontrollit.

Një rast i tillë është regjistruar mesditën e së premtes në dalje të qytetit, në rrugën që të çon në fshatin Velabisht, ku një kodër e gjelbëruar është përfshirë nga flakët.

Hedhja e plehrave në këtë zonë prej kohësh është kthyher në një problem, pasi ofron një pamje jo të denjë për një qytet si Berati.

Zjarri i vendosur për djegjen e masivit të plehrave në këtë kodër ka shkaktuar një ndotje tepër të lartë në mjedis.

Por askush nga banorët e zonës nuk është shqetësuar, ndërkohë që mendohet se kanë qënë udhëtarë të rastit ata që kanë njoftuar zjarrfikësit.

Mbërritja e mjetit zjarrfikës ka bërë të mundur shuarjen e flakëve, që pasi kishte shkrumbuar plehrat e shumta po përfshinte dhe shkurret.

Top Channel