PD: Mazhoranca, asnjë variant për dekriminalizimin

01/05/2015 00:00

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka akuzuar këtë të premte mazhorancën se, që prej 24 dhjetorit, kur u ra dakort për marrëveshjen e dekriminalizimit, ajo nuk ka paraqitur asnjë draft apo alternativë për të realizuar këtë proces.

Bylykbashi ka deklaruar se drafti i lexuar dje nga deputeti Tauland Balla është drafti i opozitës, të cilit tinëzisht i janë hequr instrumentet kryesore.

“Pika e parë. Heqja e instrumentit të masave të sigurimit personal, si arresti me burg apo arrest shtëpie për krime të rënda nga drafti ynë, heq mundësinë e përjashtimit të kandidatëve me të shkuar kriminale për krime të rënda, duke nxjerrë si të pastër Ramën me Bushin, Ramën me Rroshin, Ramën me Ndokën e të paktën 15 deputetë të tjerë.

Pika e dytë. Heqja e instrumentit të verifikimit për kandidatët e listave të 2013-s që do  të marrin mandatin për shkak të largimit të deputetëve që kandidojnë më 21 qershor apo lënë mandatin, heq mundësinë që të kontrollohen kandidatët me të shkuar kriminale që po presin të futen në Parlament.

Pika e tretë. Heqja e instrumentit të verifikimit nëpërmjet shenjave daktiloskopike e bën të pamundur verifikimin e personave me të pakten 4 emra të ndryshëm, pra emrat e artit në krim në kërkim ndërkombëtar dhe kjo është bërë enkas për të shpëtuar Rroshin, Frrokun apo deputetë e kandidatë bashkiakë të tjerë”, ka thënë Bylykbashi.

Sipas tij, paraqitja e draftit të Partisë Demokratike pa instrumentet e domosdoshme është vetëm një farsë për t’iu fshehur përgjegjësisë së futjes së banditëve në Parlament dhe në listat e 21 qershorit.

“Pra, ajo çka lexoi dje Balla është një gjethe fiku, jo për të bërë dekriminalizimin, por për ta mbuluar atë, për të gënjyer ndërkombëtarët dhe për t’i dhënë një shans të artë krimit të vazhdojë sundimin, të vazhdojë kandidimin”, ka shtuar Bylykbashi.

Top Channel