Basha: Rama po tallet me shqiptarët

01/05/2015 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka deklaruar se Edi Rama po tallet me popullin duke thënë se shqiptarët nuk e duan punën, por në të njëjtën kohë, sipas Bashës, papunësia në vend është rritur në 20 muajt e qeverisjes së Ramës, pasi janë rritur taksat dhe çmimi i energjisë.

“Kryeministri i së keqes vazhdon avazin e talljes dhe poshtërimit të shqiptarëve. Dy ditë më parë, na quajti popull me varfëri aspiratash, sot na akuzon si popull që nuk e duam punën. Papunësia u rrit me 7% në këto 20 muaj sepse kryeministri i së keqes rriti taksat, rriti çmimin e energjisë, rriti çmimin e naftës, mbylli me mijëra biznese dhe nisi në eksod kapitalin dhe investimet, shkatërroi mijëra vende pune dhe hodhi në mes të katër rrugëve nëna, baballarë dhe të rinj”, shkruan Basha.

“Shqiptarët ikin se nuk kanë punë, bukë dhe shpresë, ky i fajëson se nuk duan të punojnë dhe se kanë varfëri aspiratash. Kryeministri i së keqes ka humbur çdo lidhje me realitetin, nuk ka zgjidhje për ekonominë dhe punësimin, por vetëm vrer dhe akuza ndaj popullit të tij. Fajësimi i popullit është shenja e çmendurisë së çdo sundimtari, shenja e vdekjes së çdo regjimi. Është koha të shpëtojmë prej kësaj të keqeje”, shtoi kreu i PD-së.

Top Channel