SHBA, 20 milionë dollarë për kamerat në trup

01/05/2015 00:00

Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka çelur një fond prej 20 milionë dollarësh për një program pilot për kamera në trupin e oficerëve të policisë, ndërkohë që vendi është përfshirë nga protestat e herë pas hershme mbi trajtimin e minoriteteve nga policia.

Ky është një hap i rrallë konkret i reformës së drejtësisë kriminale nga administrata dhe ajo vjen në kohën kur amerikanët kanë dalë në rrugë për një tjetër rast ku një afroamerikan vdiq në rethana të paqarta në paraburgim.

Programi do të japë 20 milionë dollarë në 50 grante për departamente të ndryshme të policisë për të blerë kamera dhe për të trajnuar oficerët për përdorimin e tyre. Zyrtarët kanë alokuar edhe një fond prej 1 milionë dollarësh për Statistikat e Byrosë së Drejtësisë, për të zhvilluar një program që do të studiojë impaktin e këtyre kamerave. Kritikët thonë se Presidenti Barak Obama nuk ka vepruar mjaftueshëm për tiu përgjigjur çështjet me forcim të ligjit.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë krijoi një task force të policimit në fillim të vitit, në përgjigje të protestave të para në Ferguson të Misurit, paneli nuk rekomandoi përdorimin e kamerave në trup në raportin e tij ku propozonte forcim të ligjit.  Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch e quajti programin si “pjesë jetësore e përpjekjeve të departamentit të Drejtësisë në forcimin e ligjit në të gjitha agjencitë e vendit me mjete, mbështetje, trajnime për tu përballur sfidat e shekullit të 21-të”.  

“Kamerat në trup është një premtim i madh për rritjen e transparencës, promovimin e përgjegjshmërisë dhe rritjen e sigurisë publike për oficerët e ruajtjes së ligjit dhe komuniteteve ku shërbejnë”, tha ajo në një deklaratë.

Top Channel