Zbulohen 3 parcela me kanabis në Zallherr; një në pranga, një tjetër në kërkim

01/05/2015 00:00

Tre parcela me kanabis u zbuluan të premten në një fshat të komunës Zallherr në Tiranë, ndërsa një person tjetër e kishte mbjellë bimën narkotike në një nga dhomat e shtëpisë së tij.

Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht se, ka ushtruar kontroll në fshatin Radhesh të komunës Zallherr dhe në vendin e quajtur “Mali Kulat-Radhesh”, pranë një përroi, zbuloi tre parcela të mbjella me bimë të dyshuara si lëndë narkotike kanabis sativa.

Në këto parcela ishin mbjellë 147 bimë, me gjatësi nga 5 deri në 30 cm.

Policia ushtroi kontroll në banesën e shtetasit Kasem Hida, banues në fshatin Radhesh, si person i dyshuar për mbjelljen e këtyre bimëve. Gjatë kontrollit u konstatuan në banesën e tij, të mbjella në kubikë 168 bimë të tjera kanabis sativa. Policia vendosi arrestimin në flagrancë të 54-vjeçarit Hida për veprën penale të ‘kultivimit të bimëve narkotike”.

Gjithashtu, policia shpalli në kërkim një banor të fshatit Lucë të kësaj komune, sepse në një dhomë të banesës së tij u gjetën të mbjella në kubikë 62 rrënjë bimë, të dyshuara si kanabis sativa”, me gjatësi mesatare 15-35 cm.

Top Channel