Agjencia Kombëtare: Të anulohen HEC-et në zonat e mbrojtura

01/05/2015 00:00

Prej dekadash parqet e mbrojtura të Shqipërisë janë shfrytëzuar në mënyrë barbare nga gjuetia e paligjshme, shfrytëzimi pa kriter i lumenjve, por edhe prerja gjithashtu pa kriter e pyjeve.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, tha se një nga problemet kyçe me të cilat do të hasen është ndalja e ndërtimit të 20 HEC-eve në zonat e mbrojtura.

“Një numër rreth 20 e pak hidrocentrale brenda territorit të zonave të mbrojtura, ku ne duam që të marrim hap. Bëhet fjalë që në shumicën e tyre ku nuk kanë filluar nga punimet. Qeveria ndodhet në një status pozitiv për t’i ndaluar. Do të avancojmë me qeverinë për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve për ata që nuk kanë filluar, por për të parë edhe ata që janë krijuar për të shmangur dhe vëzhguar dëmet që ata mund të bëjnë”, deklaron Dedej.

Por pas vendosjes së moratoriumit të gjuetisë, një tjetër masë duhet marrë për ndaljen e prerjeve të paligjshme të pyjeve. Dedej sqaron se do të lejohet vetëm shfrytëzimi i pyjeve nga banorët e zonës për nevojat e konsumit.

“Do të ketë disa veprime shfrytëzuese që lidhen me pyjet, që mund të jenë si prerja e drurëve ose shfrytëzimi i lejuar, por duke pasur parasysh plotësimin e nevojave të komunitetit që jeton pranë këtyre zonave”, shton kreu i agjencisë.

Ndalimi i shfrytëzimit në formë barbare të parqeve të mbrotjura është vetëm njëra anë, por beteja tjetër është rikthimi i këtyre parqeve në zona turistike.

“Është parashikuar për vitin 2016 një ndërhyrje e fuqishme nga shteti me rreth 1 milion dollarë për sistemimin dhe rregullimin e qendrave të vizitorëve dhe zyrave të stafit, që prapë do të jenë një hap përpara. Dy ndërhyrje emergjente janë përcaktuar në Llogara dhe te Syri i Kaltër. Jemi në fazën që po punojmë me strategji të qarta”, sqaroi Dedej.

Kjo agjenci e sapokrijuar, e cila përbëhet nga 220 punonjës, duhet të punojë për rigjallërimin e parqeve, por edhe edukimin e qytetarëve për mënyrën e shfrytëzimit të tyre.

Top Channel